Pyetja:

Kam problem me vesvesen. Mundohem ta largoj po ndonjëherë përsëri më kthehet. Kam vesvese prej llojeve të ndryshme, si p.sh.: gjatë namazit, i laj duart shumë herë, kur shkoj diku mysafir truri fillon të më punoj shumë se në atë vend që jam ulur a është i pastër a jo, e plot raste të tjera.

***

Përgjigjja:

Vesvesja është pengesë që e shkakton djalli i mallkuar në njeriun shpeshherë, e edhe në rast të abdesit, namazit, agjërimit e ibadeteve të tjera. Largimi i vesveses është i lehtë nëse i përmbaheni këshillave vijuese:

Të vazhdoni pandërprerë me përmendjen e Allahut të Lartësuar! Të bëni lutje tek Allahu me zemër të thyer që t’ju largojë nga ju vesveset! Ta largoni plotësisht mendjen nga vepra ku ju hyjnë dyshimet se a e keni vepruar dhe si e keni vepruar. Pra, kur i lani duart, mos u kthe për t’i larë përsëri edhe nëse të duket se i ke lënë pa i larë, kur faleni, ta vazhdoni namazin duke nënçmuar vesvesen. Kur të uleni në ndonjë vend, t’i flisni vetes se jeni ulur në vend të pastër e të mos preokupoheni për atë gjë etj.

Puno me këto këshilla dhe largohu nga vesvesja, sepse ajo është prej mashtrimeve të shejtanit të mallkuar, kurse padyshim mashtrimet e tij janë të dobëta, ashtu siç thotë Allahu i Plotfuqishëm: “Luftoni kundër ithtarëve të djallit, sepse vërtet, dinakëria e djallit është e dobët! (En-Nisa‘, 76)

Beso thellësisht se nëse ia kthen shpinën vesveseve, me ndihmën e Allahut do të zhduken! Shërimi mund të zgjatë, por vendosmëria e juaj është shkaktari kryesor në luftimin e vesveses. Allahu thotë: “O besimtarë! Bëhuni të durueshëm dhe nxiteni njëri-tjetrin të jeni të tillë; bëhuni të vendosur dhe vigjilentë (në vepra të mira dhe në ruajtjen e kufijve) dhe kijeni frikë Allahun, që të shpëtoni!” (Ali Imran, 200)

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dermaku