Pyetja:

Në Youtube janë postuar disa video nga një person që nuk e njohim dhe në shikim të videove duket se personi është musliman, mirëpo janë disa gjëra që të bëjnë të dyshosh.
Andaj, pyesim është i saktë komentimi i Imran Huseinit për dexhallin?

***

Përgjigjja:

Këto dokumentarë përmbajnë edhe disa qëndrime, ide dhe komente të gabuara. Si shembull i këtyre qëndrimeve të gabuara është edhe forma se si paraqitet Dexhalli, me një fjalë i bëhet koment i devijuar një hadithi që përmendet.

Në një hadith të Pejgamberit ﷺ thuhet: “Ai (Dexhalli) do të dalë në një rrugë mes Shamit dhe Irakut, do të bëjë çrregullime në të djathtë e në të majtë. Andaj, forcohuni, o robër të Allahut!”
Ne (sahabët) thamë: O i dërguar! Sa kohë do të qëndrojë ai në tokë?
Tha: “Dyzetë ditë, një ditë sa një vit, një ditë sa një muaj, një ditë sa një javë dhe ditët tjera sikur ditët e zakonshme…” [1]

Mirëpo, problemi qëndron në atë se producenti i dokumentarit sjell komentin që ia bënë hadithit, një person i quajtur Mevlana Imran Husejn. Ky është një thirrës që ka mjaft ligjërata në gjuhën angleze, por ai ka disa devijime dhe trillime në lidhje me disa komente që ua bënë Shenjave të Kiametit në përgjithësi. Pastaj gjithashtu vërehet se ka një simpati ndaj shijave, më konkretisht ndaj Homeinit dhe shtetit të Iranit.

Sidoqoftë, komenti që ia bënë ky thirrës, hadithit është trillim dhe nuk ka kurrfarë mbështetje në atë që ai ka pretenduar.

Ai thotë se në hadith kur përmendet qëndrimi i Dexhallit në Tokë: “dyzetë ditë, një ditë sa një vit, një ditë sa një muaj, një ditë sa një javë”; gjatësia e këtyre ditëve sipas tij do të jenë sikurse ditët e Allahut të Madhërishëm. Në Kuran thuhet:

Një ditë te Zoti yt është sa një mijë vjet sipas llogarisë suaj.” (Haxh: 47)

Pastaj ai vazhdon dhe thotë se një vitëshi (i paralajmëruar në hadith) në të cilin do të sundoj Dexhalli, ka kaluar dhe këto janë 1000 vitet në të cilat ka udhëhequr me botën Britania e Madhe. Por gjithashtu jemi edhe në fund të muajit për të cilin ka paralajmëruar Muhamedi ﷺ, se do të zgjasë dita e dytë e Dexhallit në Tokë. Këto janë 300 vitet e mbisundimit të Amerikës në Botë. Dhe tani ka mbetur edhe dita e tretë që do të zgjasë një javë dhe sipas tij këto ditë i takojnë Izraelit.

Nuk ka fije dyshimi se ky koment që i bëhet hadithit është shtrembërim, e tëra është pjellë e imagjinatës së këtij personi. Për këtë jo vetëm që nuk kemi mbështetje në citate Islame por as logjika nuk e pranon. Dexhalli nuk është vetëm simbol i së keqes dhe fitneve të shumta (sprovave), ashtu si kuptohet në këtë koment të trilluar, por ai është nga njerëzit, krijesë dhe do të paraqitet konkretisht.

Komenti që ia ka bërë ky njeri Dexhallit, na bënë t`i kujtojmë edhe disa pretendime të këtilla që i kanë bërë disa njerëz Dexhallit në të kaluarën, sikurse: përparimi teknologjik bashkëkohor është Dexhalli i paralajmëruar, i cili është me një sy, pasi të gjitha zbulimet teknologjike janë të kufizuara për dobi të kësaj bote, duke e shpërfillur botën tjetër, prandaj kjo është alegoria e njërit sy. Më pas, disa të tjerë theksonin se televizori është Dexhalli i paralajmëruar, pasi në të paraqiten të vdekurit si të gjallë dhe mund t’i atribuohen shumë karakteristika nga aspekti metaforik (figurativ), për të cilat ka paralajmëruar i Dërguari ﷺ se janë karakteristika të Dexhalit. Kështu, ka edhe shumë pretendime tjera dhe kjo na bënë ti bindemi edhe më shumë paralajmërimit të Muhamedit ﷺ se fitneja e Dexhallit është më e madhja dhe më e rrezikshmja në tokë. Ndoshta ndër fitnet e para të tij, me të cilat do të devijojnë njerëzit janë edhe këto përfytyrime të gabuara të njerëzve ndaj vetë Dexhallit.

Nuk është e drejtë ta adaptojmë termin “anti-krisht” në gjuhën tonë, pasi që fillimisht emërtimi me Krisht, për Profetin Isa, alejhi selam, është i gabuar, pastaj emri Dexhall i përdorur në terminologjinë islame është emërtim i përcaktuar nga i Dërguari ﷺ. Emri Dexhall rrjedh prej foljes së gjuhës arabe dexhele që do të thotë ai që gënjen dhe mbulon të vërtetën. Dexhalli është quajtur me këtë emër, për shkak se ai do të jetë gënjeshtari dhe mashtruesi më i madh që e ka njohur njerëzimi ndonjëherë, pasi ai do të arrijë deri në shkallën sa do të pretendojë se është vet zoti dhe shumë prej njerëzve do ta besojnë dhe pasojnë atë.

Zoti e di më së miri!

Përgatiti: Alaudin Abazi

—————————

[1]  Muslimi nga Nevas bin Sem`ani, hadithi nr: 2937