Pyetja:
Shoku im më ka falur 500 euro, por pas disa muajsh më kërkon t’ia kthejë ato 500 euro. Çka duhet të veproj?
***
Përgjigjja:
Dhënia e dhuratës konsiderohet prej virtyteve më të mira në Islam.
Dhuratat e ndërsjella janë mënyra më e mirë për zhdukjen e urrejtjes dhe forcimin e vëllazërisë në Islam.
Transmetohet se Muhamedi ﷺ, ka thënë: “Shkëmbeni dhurata me njëri-tjetrin, ngase dhurata e largon urrejtjen.” [1]
Personi që e merr dhuratën konsiderohet pronar i ligjshëm i saj, prandaj nuk i lejohet dhuruesit që të kërkojë kthimin e dhuratës. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush kërkon kthimin e dhuratës së tij është si qeni, i cili vjell dhe pastaj kthehet për të ngrënë atë që ka vjellë.” [2]
Nga kjo ndalesë përjashtohet prindi, ngase transmetohet se Muhamedi ﷺ ka thënë: “Nuk i lejohet asnjë njeriu që të kthejë diçka që i ka dhënë dikujt ose ta kthejë dhuratën e dhuruar, përveç prindit (të kthejë) atë që i ka dhënë fëmijës së tij.” [3]
Disa dijetarë mendojnë se të drejtën e kthimit të dhuratës përveç prindit (babait) e ka edhe nëna dhe gjyshi.
Duke u bazuar në hadithet e lartpërmendura, themi se shoku juaj nuk ka të drejtë që të kërkojë nga ju t’ia ktheni 500 eurot, ngase pas dhurimit ju konsideroheni pronar i ligjshëm.
Mirëpo duke pasur parasysh se çështja e të hollave mund të jetë shkak për prishjen e raporteve mes jush dhe krijimin e armiqësisë, ju këshillojmë që nëse keni mundësi t’ia ktheni këto të holla, do të ishte një veprim shumë i pëlqyer nga ana juaj.
Allahu e di më së miri.
Dr. Shefqet Krasniqi
————————————————————
[1] Tirmidhiu, nr. 2130, ka thënë se hadithi është garib.
[2] Buhariu, nr. 2589; Muslimi, nr. (1622) 5.
[3] Ebu Davudi, nr. 3539. Albani ka thënë: “Hadithi është sahih”.