Pyetja:

A ka të drejtë femra ta falë namazin e xhumasë?

***

Përgjigjja:

Askush prej dijetarëve nuk ka thënë se namazi i xhumasë është obligim për gruan. Ibën Mundhiri ka thënë: “Dijetarët kanë mendim unanim (ixhma) që femra nuk obligohet me namazin e xhumasë.” [1]

Mirëpo nëse gruaja e fal namazin e xhumasë, me këtë ka kryer edhe namazin e drekës dhe nuk ka nevojë ta falë drekën, ngase namazi i xhumasë e zëvendëson atë të drekës, por nëse nuk e fal xhumanë, atëherë duhet ta falë drekën.

Në shumë vende të botës e kanë bërë traditë që edhe gratë ta falin xhumanë sepse ne në parim nuk kemi të drejtë t’i ndalojmë gratë nga shkuarja në xhami.

Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Ibën Umeri r.a., se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Mos i pengoni robëreshat e Allahut për (t’u falur) në xhamitë e Allahut.” [2]

Pra, ka thënë mos i ndaloni prej xhamive. Mos i ndaloni asnjëherë, qoftë për pesë namazet ditore, qoftë për xhuma, për cilindo namaz, mos i ndaloni. Nëse ato kanë dëshirë të falen në xhami, janë të lira, mirëpo ato janë të detyruara si çdoherë t’i përmbahen etikës së veshjes islame dhe t’i largohen përzierjes me burrat e huaj. Për këtë arsye në shumë vende të botës në xhami kanë caktuar hyrje dhe vende të veçanta enkas për gra për t’iu mundësuar atyre pjesëmarrjen në namazet me xhemat.

Duke pasur parasysh nevojën e motrave tona për të dëgjuar dhe për të mësuar fenë e Allahut të Lartësuar, unë  sugjeroj që edhe tek ne, në xhamitë e vendit tonë, të krijohen kushte dhe të planifikohet hyrja dhe vendi i veçantë për namazin e grave, ngase për fat të keq në shumicën absolute të xhamive në trevat tona të Ballkanit nuk ka kushte të përshtatshme që do të mundësonin pjesëmarrjen e grave në namaze me xhemat.

Dashtë Allahu i Lartësuar që në një të ardhme të shpejtë nëpër xhamitë tona t’u mundësohen femrave hyrjet e veçanta në xhami.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

——————————–

[1] El-Ixhma, 52

[2] Buhariu, nr. 900; Muslimi, nr. (442)-136