Pyetja:

Shpesh ndodh që të afrohet koha e namazit për udhëtarin në aeroplan dhe ka frikë se mos i kalon namazi. Si mund ta kryejë namazin në aeroplan? Allahu ju shpërbleftë!

***

Përgjigjja:

Udhëtari në aeroplan, sa i përket namazit, ka disa gjendje:

1.Nëse hyn koha e namazit për udhëtarin duke qenë në aeroplan dhe ai ka mundësi ta falë pasi të zbresë dhe të arrijë në kohë apo ta bëjë bashkë me namazin tjetër, p.sh. akshamin me jacinë, në këtë situatë më e mirë për të është ta shtyjë namazin derisa të zbresë në tokë e ta falë ashtu siç falet namazi i plotë, me ruku, sexhde etj..

2.Nëse hyn koha e namazit duke qenë në aeroplan dhe udhëtari e di se nuk mund të falet në tokë, d.m.th. nëse e lë pa e falur në aeroplan do t’i kalojë koha e namazit dhe nuk ka mundësi as ta bëjë bashkë, sepse ta zëmë hyn akshami dhe nuk mund ta bëjë bashkë drekën me ikindinë, atëherë ai duhet të falet në aeroplan.

Në këtë rast udhëtari duhet të falet diku në ndonjë qoshe të aeroplanit pasi ta gjejë kiblen apo të mundohet ta gjejë kiblen dhe duke qëndruar në këmbë. Nuk ka nevojë të kërkojë leje prej askujt për t’u falur në aeroplan, mjafton të shtrojë ndonjë batanije apo sixhade, po edhe mos pastë ndonjë gjë për të shtruar, s’ka dert e falet në tokë dhe e fal namazin shkurt, dy rekate, përpos akshamit, i cili nuk shkurtohet dhe nuk i fal sunetet fare.

Nëse stafi i aeroplanit nuk e lejojnë, për ndonjë shkak, p.sh. shkaku i ngritjes apo aterrimit, atëherë ai falet në karrigen e tij duke bërë me shenja rukunë dhe sexhden dhe nuk e vonon namazin nga koha e tij. Allahu i Lartësuar thotë:

”Andaj, sa të keni mundësi ruajuni prej dënimit të Allahut…” (Tegabun: 16)

Mirëpo nëse e fal namazin në aeroplan ulur, atëherë unë mendoj se ai duhet ta përsërisë kur të zbresë në tokë, ta bëjë kaza, gjegjësisht kur t’i jepet mundësia ta përsërisë, natyrisht edhe nëse i ka kaluar koha.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi