Pyetja:

Ngritja e duarve në namaz a bëhet vetëm në tekbirin fillestar apo edhe në rastet e tjera (kur biem në ruku, kur ngritemi nga rukuja dhe pas uljes së parë)? Unë kam lexu hadithe dhe argumente nga të dy palët. Pyetja ime është: Vërtet ekzistojnë hadithe nga të dy anët apo një parë janë hadithe të forta dhe një parë të dobëta. Cila është e vërteta për këtë çështje?

***

Përgjigjja:

Falenderimi i takon Allahut, ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Sa i përket ngritjes së duarve gjatë marrjes së tekbireve në namaz, dijetarët kanë diskutuar gjërësisht rreth kësaj çështje dhe kanë dhënë mendime të tyre. Megjithatë, shkurtimisht themi se mendimi më i saktë dhe më i vërtetë në lidhje me këtë, është se duart është sunet të ngriten në namaz në katër raste:

-Në tekbirin fillestar,
-Para rënies në ruku,
-Pas ngritjes nga rukuja, dhe
-Pas ngritjes nga teshehudi i parë.

Duke u bazuar në hadithin të cilin e transmeton Abdullah ibn Omeri i cili thotë se: “Pejgamberi ﷺ i ngriste duart e tij deri në supe në fillim të namazit (në tekbirin fillestar), kur merrte tekbir për në ruku dhe kur thoshte: Semiallahu limen hamideh i ngriste duart e tij”. [1] E në një transmetim: “Dhe kur ngritej prej rekatit të dytë, i ngriste duart”. [2]

Dhe argumente tjera të cilat e vërtetojnë një gjë të tillë.

Ndërsa mendimi i dijetarëve të cilët thonë se ngritja e duarve bëhet vetëm në fillim të namazit, është i bazuar në disa argumente të cilat nuk qëndrojnë për të mbështetur këtë mendim. Prej tyre:

Abdullah Ibn Mes’udi ka thënë: “A dëshironi që t’ua fali namazin e Pejgamberit ﷺ?” Pastaj, ua fali atë, dhe nuk i ngriti duart përveçse në herën e parë. [3]

Abdullah ibn Mes’udi thotë: “Jam falur pas Ebu Bekrit dhe Omerit dhe ata nuk i kanë ngritur duart përveçse në herën e parë.” [4]

Apo hadithi në të cilin thuhet: “Kush i ngritë duart e tij në namaz, nuk ka namaz”. [5]

Dhe argumente tjera të cilat nuk qëndrojnë për t’u mbështetur dhe për t’u argumentuar me to, për shkak të dobësisë së tyre.

Andaj mendimi më i saktë padyshim është ai që është i sigurtë dhe i vërtetë në librat e hadithit dhe në të cilin nuk ka dyshim se është fjalë dhe vepër e Pejgamberit ﷺ.

Edhepse kjo çështje nuk duhet të jetë shkak për përçarje në mes muslimanëve, përderisa në mesin e dijetarëve ka mendime të ndryshme.

Allahu e di më së miri.

Hoxhë Omer Bajrami

——————————————

[1] Buhariu 735; Muslimi 390.

[2] Buhariu në Raf’ul jedejn 103.

[3] Ebu Davudi, Nesaiu, Ahmedi, Tirmidhiu dhe të tjerë – Ndërsa, Buhariu, Bejhekiu, Ebu Davudi, Darakutnij dhe të tjerë, thonë se ky transmetim është i dobët.

[4] Darakutnij dhe Bejhekiu – Ndërsa dijetarët e hadithit këtë transmetim e kanë cilësuar si të dobët.

[5] Ibn Xheuzij ka thënë: “ky transmetim është i shpikur.”

Comments are closed.