Pyetja:

Kam një deformim në hundë (të jashtëm dhe të brendshëm). Deformimi i brendshëm më pengon në shëndet dhe që të më lirohet frymëmarrja, mjeku duhet të intervenojë dhe ta përmirësojë atë. Por gjatë këtij intervenimi është e mundur që të intervenohet edhe në deformimin e jashtëm, pra të përmirësohet estetika, sepse e kam hundën si të jetë e thyer.

***

Përgjigjja:

Operacioni plastik estetik ndahet në dy kategori:

1. Operacioni plastik estetik i domosdoshëm apo i nevojshëm.

Ky operacion bëhet me qëllim të përmirësimit të ndonjë deformimi fizik për shkak të ndonjë sëmundjeje apo aksidenti si dhe eliminim të ndonjë të mete fizike, si f.v. largimi i gishtit të gjashtë të dorës apo përmirësimi i ndonjë pjese të trupit që konsiderohet si dobësi e që bëhet objekt i përqeshjes dhe përbuzjes nga ana e njerëzve, p.sh. veshët e deformuar, apo sytë e deformuar, çka do të thotë se nuk sheh drejt dhe tek njerëzit konsiderohet e metë fizike. Ky lloj operacionesh është i lejuar në Islam.

Transmetohet se Arfexhes bin Es’adit në njërën prej luftërave të kohës së injorancës ia kishin këputur hundën dhe pastaj ai vuri një hundë prej argjendi. Por më vonë hunda filloi t’i kundërmojë dhe atëherë Pejgamberi ﷺ e urdhëroi që të vendosë një hundë prej ari.” [1]

2. Operacioni plastik estetik  zbukurues.

Ky operacion bëhet me qëllim të shtimit të bukurisë së trupit sipas preferencave personale, ose imitim të ndonjë pjese të trupit të ndonjë figure publike, si për shembull : zbukurimi i hundës me qëllim të shtimit të bukurisë, rritja apo zvogëlimi i gjokseve, etj.. Ky lloj operacionesh është i ndaluar në Islam për shkak se synohet ndryshimi i krijimtarisë së Allahut të Lartësuar.Në lidhje me këtë Allahu i Lartësuar thotë:

”Atë (Iblisin) e mallkoi Allahu. Ai ka thënë: “Unë do të përfitoj një pjesë të caktuar të robërve të Tu”. Do t’i shmang (nga e vërteta), do t’i bëj të shpresojnë në gjëra të kota; do t’i urdhëroj dhe ata do të shqyejnë veshët e bagëtive; do t’i urdhëroj dhe ata do të shëmtojnë krijesat e Allahut (do t’i ndryshojnë krijesat nga forma origjinale që i ka krijuar Allahu). E kush e bën mik djallin, e jo Allahun, ai ka dështuar sheshazi.” (Nisa: 118-119)

Duke u bazuar në faktet e lartpërmendura, themi se gjatë intervenimit kirurgjik të mjekëve për përmirësimin e deformimit të brendshëm të hundës lejohet që të bëhet edhe përmirësimi i deformimit të jashtëm të hundës, ngase qëllimi i këtij intervenimi kirurgjik nuk është shtimi i bukurisë, por eliminimi i pengesave për frymëmarrje normale dhe në të njëjtën kohë kthimi i hundës në gjendjen e saj normale.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Ebu Davudi, nr. 4232; Tirmidhiu, nr. 1770, dhe ka thënë: “Hadithi është hasen garib”. Gjithashtu edhe Albani e konsideron hasen.