Pirja e duhanit është haram

171. I nderuar hoxhë!  A është haram pirja e duhanit?

Përgjigjja: Pirja e duhanit është e ndaluar për shkak të dëmeve të mëdha e të rrezikshme që i shkakton njeriut në aspektin shëndetësor, financiar dhe moral. Allahu xh.sh. u ka lejuar robërve të Tij ushqime, pije dhe gjëra të tjera të mira e të dobishme, por u ka ndaluar ushqime, pije dhe gjëra të tjera që janë të këqija e të dëmshme. Allahu xh.sh. thotë:

“Të pyesin ty (Muhamed), çka u është lejuar atyre? Thuaju: U janë lejuar të gjitha ushqimet e mira…” (Maide: 4)

I Gjithëmëshirshmi duke i cilësuar pasuesit e Muhamedit [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] thotë:

“Që pranojnë të Dërguarin (Muhamedin), Pejgamberin (që nuk shkruan as nuk lexon), të cilin e gjejnë të cilësuar (të përshkruar me virtytet e tij), tek ata në Tevrat dhe në Inxhil, e që i urdhëron ata për çdo të mirë dhe i ndalon nga çdo e keqe, u lejon ushqimet e këndshme dhe u ndalon ato të pakëndshmet…” (A’raf: 157)

Çdo njeri që ka logjikë të shëndoshë e pranon se duhani nuk është prej gjërave të këndshme dhe të mira, por prej gjërave të pakëndshme dhe të këqija. Po ashtu mjekësia bashkëkohore ka konstatuar se duhani është shkaktar kryesor i shumë sëmundjeve të rrezikshme, në krye të të cilave është sëmundja e kancerit, e cila ka pasoja fatale për shëndetin dhe jetën e njeriut. Allahu xh.sh. thotë:

“…Dhe mos e hidhni veten në rrezik…” (Bekare: 195)

Mos e mbytni veten me duart tuaja, mos e dëmtoni, mos e shkatërroni jetën tuaj dhe shëndetin tuaj. Jeta dhe shëndeti janë dhuratë e Zotit, që muslimani nuk guxon ta neglizhojë, nuk ka të drejtë ta sëmurë veten e tij, ta dëmtojë atë apo ta shkatërrojë, ashtu siç nuk ka të drejtë t’i dëmtojë të tjerët. Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Nuk lejohet dëmtimi i vetes e as dëmtimi i të tjerëve.”[1]

Mjekësia bashkëkohore po ashtu ka konstatuar se duhani përveçse është i dëmshëm për konsumuesin, u shkakton dëme serioze edhe atyre që qëndrojnë në hapësira ku pihet duhani për shkak të thithjes së tymit të tij, prandaj dëmtimi i të tjerëve po ashtu konsiderohet mëkat i madh.

Gjithashtu pirja e duhanit është dëmtim dhe shkatërrim i pasurisë, të cilën Allahu xh.sh. na e ka dhuruar që ta përdorim për gjëra të dobishme dhe të kujdesemi nga shkatërrimi e humbja e saj në gjëra të kota e në teprime të dëmshme. Allahu xh.sh. thotë:

“Edhe ata që kur shpenzojnë, nuk e teprojnë e as nuk janë dorështrënguar, por mbajnë mesataren e janë të matur.” (Furkan: 67)

Pa dyshim harxhimi i parasë për pirjen e duhanit është i barabartë me djegien dhe shkatërrimin e pasurisë, për të cilën do të përgjigjemi para Zotit të Lartësuar për mënyrën se si e kemi harxhuar. Ndoshta ai që e djeg  paranë si para, si letër, ka më pak gjynah sepse dëmton vetëm pasurinë, kurse konsumuesi i duhanit përveç shkatërrimit të pasurisë dëmton edhe shëndetin e tij dhe shëndetin e atyre që qëndrojnë rreth tij, andaj dëmi është më i madh, por edhe gjynahu është më i madh.

Fakti se të gjithë njerëzit e mençur të shekullit tonë –muslimanë dhe jomuslimanë-  kanë pajtueshmëri të plotë se duhani është i dëmshëm dhe i rrezikshëm për shëndetin e njeriut është argument shtesë për muslimanin që duhanin ta konsiderojë të ndaluar (haram) dhe të përpiqet që këtë dukuri negative ta çrrënjosë tërësisht nga shoqëritë muslimane.

Allahu e di më së miri.

Dr.Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Ahmedi, nr. 1/313, nr. 2867 (2865); Ibën Maxhe, nr. 2340. Albani e ka konsideruar sahih.