Pyetja:


Çka është dispozita e disa veprave që i bëjnë njerëzit kur ju vdes dikush në familje si për shembull mevludi, përkujtimi i të vdekurit në ditën e shtatë pas vdekjes apo në ditën e katërdhjetë dhe kështu me radhë?

***

Përgjigjja:

Është obligim për muslimanët që të kapen për dispozitat e Sheriatit, qoftë në çështje që kanë të bëjnë me rastin e vdekjes së dikujt apo në çfarëdo lloj ibadeti. Thotë All-llahu për një popull që shpikin në fe dispozita që nuk i ka obliguar All-llahu: “Mos vallë kanë ortakë të cilët u përshkruajnë në fe dispozita të cilat nuk i ka urdhëruar Allahu.” (Shuura: 21)

Në një ajet tjetër: “Dhe më pastaj të kemi vendosur në një Sheriat, pra pasoje atë (Sheriat).” (Xhathije: 18) Dhe thotë Pejgamberi ﷺ: “Kush vepron një vepër që nuk ka të bëj me çështjen tonë, ajo vepër është e refuzuar”. Pra njerëzve nuk u takon që të shpikin ibadete në Sheriatin e All-llahut në çështjet që kanë të bëjnë me të vdekurit dhe as në çështje tjera të fesë, njeriu është i kufizuar brenda suazave të Sheriatit dhe në brendi të këtyre suazave vepron duke mësuar çështjet që kanë të bëjnë me fenë, thotë Pejgamberi ﷺ: “Kujt ia don Allahu hajrin, ia mundëson t’i kuptojë çështjet e fesë”. [1] Pra kuptimi i çështjeve të fesë është gjë e kërkuar.

Sa i përket ngushëllimeve dhe vizitave dhe mbledhimeve nëpër shtëpi, kjo gjë është e lejuar. Pra ngushëllime mund ti shprehish duke e vizituar në shtëpi, ose në rrugë, në xhami, në shitore, në punë.

Ndërsa mbledhimet që bëhen për shkak të vdekurit duke u mbledhur dhe duke lexuar Kur’an apo mevlud, ose duke bërë dhikër, kjo është gjë e ndaluar.

Sa i përket mbledhimeve që bëhen në ditën e shtatë pasiqë i ndjeri ka vdekur, ose mbledhimet në ditën e katërdhjetë, ose në krye të vitit, e tërë kjo është prej veprave të injorancës dhe një gjë e tillë nuk lejohet.

U lejohet të afërmve të bëjnë dua për të vdekurin dhe të japin sadaka për atë.

Kur vijnë njerëzit për ngushëllim u ofrohet kafe apo çaj, ndërsa nëse bëhet fjalë për udhëtarë që kanë ardhur prej larg, atyre u ofrohet ushqim dhe kjo s’prish punë.

Prej sunetit është që fqinjët dhe të afërmit të dërgojnë ushqim për të afërmit e të vdekurit, dhe nëse mysafirët janë prezent në këtë kohë edhe ata hanë prej ushqimit.

Shejh AbdulAziz bin Baz (ish Muftiu i Arabisë Saudite)

Përktheu: Enis Arifi

—————————-

[1] Buhari