Pyetja:

Sa rekate kanë teravitë? Ngase disa thonë ndryshe e tjerët ndryshe, domethënë a janë 8 rekate, 11, 20 apo 37?

***

Përgjigjja:

Nga pjesët përbërëse, plotësuese të muajit të Ramazanit janë edhe teravitë. Janë dhuratë e begati e veçantë nga Allahu që e ka mvesh me këtë muaj me to. Gjithashtu edhe syfyri e iftari janë nga begatitë e mëdha, jo vetëm për të ngrënë mirëpo begati për nga fitimi i shpërblimeve.

Pejgamberi ﷺ e ka quajtur syfyrin ushqim i bereqetshëm, ndërsa për iftarin ka treguar se agjëruesi e ka një lutje që nuk i kthehet andaj le të lutet. Kështu që i gjithë muaji është me begati, 24 orë nata e dita janë plot begati në Ramazan.

Pjesë e tij është edhe namazi i teravive e që Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që fal namaz nate (teravitë sipas dijetarëve) gjatë Ramazanit me bindje dhe me kërkim shpërblimi tek Allahu i falen gjynahet.”

Pra njëra nga shkaqet e faljes së gjynaheve janë falja e teravive, ato janë një e mirë e madhe. Teravitë është sunet të mos lihen pa u falur as nga burrat musliman dhe as nga gratë muslimane pavarësisht se a i fal ato në xhami apo në shtëpi. Gratë është më mirë t’i falin në shtëpi, ndërsa burrat në xhami së bashku me jacinë.

Pastaj sa i përket pytjes se sa rekate të falen, të falen aq rekate sa i fal edhe imami. Tek shumica dërrmuese e dijetarëve si dhe tek katër medhhebet, tek shumica absolute e tyre teravitë janë 20 rekate. Ajo që keni përmendur 33 rekate është mendimi i Imam Malikut, madje edhe 36 e 37 i kanë falur domethënë më herët.

Që nga koha e Omerit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) falen nga 20 rekate dhe shumica e ulemave janë pajtuar me këtë në katër anët e botës. Nuk prishë punë edhe nëse falen më pak apo më shumë.

Nëse dikush vendos të fali vetëm 11 rekate nuk ka ndonjë problem vetëm se duhet të jetë në pajtueshmëri xhemati me imamin. Edhe nëse duan të falin 14 (me vitrin 15) përsëri nuk ka ndonjë problem por më e mira është falja e 20 rekateve, sepse për çdo sexhde afrohesh tek Allahu dhe për çdo rukuafrohesh e ngritesh tek Allahu. Andaj nuk është njësoj si të falësh 8 rekate dhe si të falësh 20, mirëpo mos obligoni askënd.

Tek ne zakonisht, por edhe në mbarë botën në shumicën e vendeve falen nga 20 rekate. Por nëse ju ndjeni lodhje apo thjesht nuk mund të vazhdoni të faleni më gjatë mund të dalësh pas 8 rekateve apo 10 rekateve, varësisht se a falen nga 2 apo 4 rekate (nuk prishë punë të falen nga 2 apo nga 4). Pusho, merr abdes, pi ujë dhe kthehu përsëri e vazhdo namazin me xhemat deri në fund.

Ritheksojmë se teravitë janë sunet.

Dr. Shefqet Krasniqi

Comments are closed.