Përgjigje: Ajo që duket nga hadithi: “…përveç sadakatul xharije…”, ka për qëllim atë që e ka bërë i vdekuri gjatë jetës së tij, e jo ajo që bëjnë fëmijët e tij pas vdekjes. Sepse të mirën që mund t’ia bëjë fëmija e ka sqaruar Resulull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, me fjalën: “apo fëmijë të mirë, që do të lutet për të”.

Por nëse i vdekuri ka lënë ndonjë vasijet (porosi) atëherë konsiderohet sadakatul xharije, ose ka lënë ndonjë vakëf, kjo po ashtu llogaritet sadakatul xharije. Ai përfiton me këto pas vdekjes së tij, po ashtu edhe me diturinë e tij, nëse mëson dikush nga ajo dituri, si dhe fëmija i mirë që lutet për babanë e tij.

Nëse dikush na thotë: A është më mirë t’i fal dy rekate për babain tim,  apo t’i fal dy rekate për vete dhe të lutem në to për babain tim? I themi: Më mirë është t’i falësh dy rekate për vete dhe të lutesh aty për babain tënd.

Kjo është më afër udhëzimit të Resulull-llahut, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, që ka thënë: “apo fëmijë të mirë, që do të lutet për të”, e nuk ka thënë të falet për të apo të bëjë diçka tjetër.

Shejh Uthejmini / “Kushtet e fesë”