Pyetja:
Si duhet të jetë qëndrimi i besimtarit në përballje me padrejtesitë?
***
Përgjigjja:
Islami ka ardhur si një mesazh ekuilibri dhe drejtësie, që synon të vendosë harmoninë në univers përkundër të gjitha llojeve të teprimit. Në përballjen me të këqijat, ai nuk e sheh as padrejtësinë të këndshme, duke iu përulur krejt pasiv dhe i plogësht, e aq më pak duke ulëritur se jam duke u përballur me vetë padrejtësinë, por duke zbatuar gjithfarë padrejtësish apo duke e tepruar me sjelljet e tij, çka çon njëfarësoj po në padrejtësi. Kur i duhet, besimtari di të jetë një kështjellë e pamposhtur, duke ditur si të qëndrojë përballë padrejtësisë si një krah i papërkulshëm dhe duke bërë çdo përpjekje të nevojshme, pa iu frikësuar kurrgjëje, për të ngritur të vërtetën në piedestal. Megjithatë, në kuptimin e tij të përgjithshëm, ai është përherë i drojtur dhe i thjeshtë përballë Allahut, me sjelljen e tij të përjetshme të karakterizuar prej mëshirës, keqardhjes dhe butësisë.
“Mos ia hape dhe i pe se ç’kishte në zemër?”
Për shembull, heroizmi është një veti shumë e bukur. Nuk ka njeri që të mos ndihet i emocionuar përballë heroizmit të Halid ibn Velid. Sa e sa njerëz ndukin buzët kur kujtojnë heroizmin e tij teksa kishte vetëm tri ditë që pati besuar në Islam. Mirëpo ç’e do se një pjesë të atyre, që nuk arrinin dot të thoshin: “U bëmë myslimanë!“, por “U bëmë Sabii“, “U bëmë Sabii“, i pati vrarë, ndërsa një pjesë tjetër i pati zënë robër. Kur kjo ngjarje iu bë e ditur të Dërguarit të Allahut ﷺ, ai i pati ngritur duart e tij të bekuara sipër dhe pati thënë: “O Zot! Unë mbrohem prej Teje për këtë që ka kryer Halidi.“[3] dhe qe pikëlluar jashtë mase prej kësaj ndodhie. Edhe në një ngjarje tjetër të ngjashme, Ai ﷺ e pati qortuar Usamen që pati vrarë një armik edhe pasi ai pati artikuluar fjalën e dëshmisë, duke i thënë: “Mos ia hape dhe i pe se ç’kishte në zemër?” [4] Ja pra, me këto fjalë të të Dërguarit të Allahut ﷺ, madje edhe në një situatë të nxehtë lufte, kuptojmë se si myslimani duhet të veprojë gjithnjë veçse sipas parimit të drejtësisë absolute.
“Poshtërimi” për pritshmëri interesash nuk është modesti
Nëse arsyeja, gjykimi, diplomacia dhe gjuha e butë përbëjnë një anë të çështjes, tjetrën e përbën mospërulja asnjëherë përballë tregimit të forcës dhe përdorimit të dhunës, por të tregohesh përherë kryelartë. Prandaj, sjelljet që pasojnë poshtërimin për hir të disa interesave prej atyre që bëjnë të gjitha padrejtësitë dhe më të këqijat nuk duhen ngatërruar me modestinë dhe thjeshtësinë. Kjo është një gjendje krejt tjetër. Fatkeqësisht, fjala, sjellja dhe qëndrimi i butë dhe i ëmbël që është një dinamikë shumë e rëndësishme e të bërit thirrje kah e drejta dhe e vërteta, mund të ndodhë që të përdoren si petk i flirtimit me palën që kryen padrejtësitë. Po, qëllimi i fjalëve dhe sjelljeve të buta nga ana e disa karaktereve të dobëta është të rrisin vlerat dhe kredibilitetin e tyre në sytë e të tjerëve, asisoj që të marrin ndonjë kompliment dhe të kënaqin dëshirën e tyre për famë, me atë rast edhe për të zënë ndonjë kolltuk. Patjetër që ne nuk mund të keqpandehim për askënd, duke e cilësuar ndokënd si hipokrit. Madje, njerëzit e zgjuar, duke i parë këta njerëz me karakter të dobët, edhe po të arrijnë ta përkapin qëllimin e tyre, sërish nuk e vënë në pah këtë si ndonjë gjykim objektiv. Në të kundërt do të kishin hyrë në mëkat dhe është Allahu ﷻ që e kërkon llogarinë e këtij mëkati. Megjithatë, gjithsecili duhet t’i masë vetë veprimet e tij me ndërgjegjen, duke bërë njëfarësoj vetëgjykimin e tij.
Nuk ka dyshim, se të gjitha përpjekjet dhe mundimet e vëna në dispozicion prej radhësh të ndryshme nga ana e shoqërisë për të gjetur gjuhën e dialogut dhe mirëkuptimit kanë për t’iu shkruar si shpërblime. Megjithatë, nëse nganjëherë, njerëzit përulen më dysh për të nxjerrë ndonjë përfitim për veten, apo për të siguruar ndonjë post a detyrë, apo me synimin për të ngritur mirëqenien dhe rehatinë e vet, atëherë ky është asgjë më pak se një poshtërim i vetes.
Mirëkuptim për hir të zgjidhjes së problemve shoqërore
Zgjidhja e problemeve dhe drejtimi i çështjeve lidhur me shoqërinë në këto raste janë reagime të bëra në emër të sendërtimit të një atmosfereje paqësore, duke parandaluar daljen e problemeve të reja në mes palëve. Hafizi Shirazi, sigurinë e të dy botëve thotë se e shpreh interpretimi i dy fjalëve. Njëra prej tyre është të sillesh ëmbël dhe butësisht me miqtë e tu, ndërsa tjetër të përballosh armiqtë. (Gazela e pestë e Divanit të Hafizi Shirazit). Sipas kësaj perspektive kuptohet se ndaj armikut nevojitet një qëndrim krenar, e jo në kuptimin që të jesh gati për të nxjerrë nga një mosmarrëveshje në çdo çast. Lëre që, të ngrihesh e ta bësh këtë në një vend ku mes tyre hahen dy popuj që nuk po gjejnë ekuilibrat mes veti, do të thotë që pala më e dobët ta hedhë vetë në rrezik veten e saj. Andaj mund edhe të bëhen lëshime përsa i përket përdorimit të butësisë për të ruajtur komunikimin me palën tjetër. Sepse, nxitja e urrejtjes dhe mllefit, ose armiqësisë, nuk ka se ç’të japë tjetër veç të gjitha dëmeve të mbledhura bashkë. Që me qasjen e Bediuzamanit, askush që ka nëntëdhjetë e nëntë armiq nuk dëshiron që t’i bëjë ata njëqind; përkundrazi, nëse ka njëqind armiq do të dëshirojë t’i zbresë ata në nëntëdhjetë e nëntë. Ja pra, të gjitha këto hyjnë në kategorinë e ruajtjes së ekuilibrit të gjendjes.