Pyetje: Jetoj në një shtet të krishterë, fëmijët i dërgoi në kopsht, por gjatë kohës që krishindjet po vijnë ata bëjnë disa punime dore, vizatime në lidhje me këtë tematikë. Dhe më pas caktojnë një ditë për të festuar dhe u japin dhurata.
A duhet t’i pranoj dhurata?
Cili duhet të jetë qëndrimi im, gjendem në vështirësi?

Përgjigje:
Me Emrin e Allahut, Mëshirplotit, Mëshiruesit!

Vërtet jetesa si musliman në një vend jomusliman i ka vështirësitë e veta, mirëpo ajo që kërkohet nga besimtari është që gjithmonë të mundohet ta ruajë fenë e tij dhe fenë e pasardhësve të tij.
Ajo që kërkohet prej nesh është që, fillimisht, me rastin e dërgimit të fëmijëve tanë nëpër këto çerdhe apo shkolla, t’i njoftojmë edukatorët e fëmijëve tanë se ne i përkasim besimit Islam, e rrjedhimisht, të kërkojmë prej tyre që të na kursejnë fëmijët tanë nga punimet që kanë të bëjnë direkt me këto festa. Kam dëgjuar përsonalisht raste kur edukatorët në vendet perëndimore janë treguar të kujdesshëm në këtë aspekt dhe kanë pasur kujdes që të mos i detyrojnë fëmijët muslimanë të bëjnë diçka që bie ndesh me fenë e tyre.
E, nëse kjo nuk ndodh, atëherë ne duhet të jemi të vetëdijshëm se, nëse ne i edukojmë fëmijët tanë në shtëpi për gjërat të cilat nuk na përkasin si besimtarë muslimanë, atëherë edhe fëmijët do ta kuptojnë këtë gjë dhe këto gjëra do t’i shohin si gjëra që janë të detyruar t’i bëjnë por nuk u përkasin atyre, dhe do të vie koha kur do t’i braktisin me vetëdëshirë ato. Por, gjithmonë duhet që ta kemi brengë edukimin e tyre të mirëfilltë sipas edukatës Islame.
Kurse, sa i përket pranimit të dhuratave gjatë festave të tyre, kjo parimisht është e lejuar, mirëpo nuk lejohet pranimi i gjërave të ndaluara si alkooli, mishi i derrit, apo mishi që nuk na lejohet ta hamë, gjegjësisht mishi në të cilin nuk është përmendur Emri i Allahut gjatë therjes së tij. Një gjë të tillë e ka përmendur edhe kolosi i dijes, shejhul islam ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!), i cili thotë: “Sa i përket pranimit të dhuratave nga ta, në ditët e festave të tyre, e kemi përmendur më parë rastin e Ali ibn Ebu Talibit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i cili, kur dikush i solli një dhuratë për festën e Nejruzit të asaj kohe, ai e pranoi atë.”
Allahu e di më së miri!

Hekuran Helshani