Pyetja:

Cila është forma më e mirë me të cilën mund të ngushëllohet një person të cilit i ka ngjarë rast vdekje?

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut,  Muhamedin ﷺ!

Me termin “ngushëllim” në aspektin juridik islam nënkuptohet që “të nxitet personi të cilit i ka ngjarë fatkeqësia që të bëjë durim dhe ta pranojë me zemër të mirë kadanë (vendimin / caktimin) e Allahut të Lartësuar”. Juristët muslimanë theksojnë njëzëri se ngushëllimi i familjarëve të të vdekurit është mustehab (vepër e pëlqyeshme) nisur nga qetësimi që u bëhet këtyre të fundit. Për të shprehur ngushëllimin nuk ka ndonjë trajtë të veçantë dhe lejohen të gjitha format e tij nëse plotësohet kushti që shprehjet ngushëlluese të mos përmbajnë ndonjë vërejtje (ndalesë) sheriatike (ligjore islame).

Gjithsesi nuk ka dyshim se më e mira është që ngushëllimi të bëhet me fjalët me të cilat ka ngushëlluar Profeti ﷺ dhe pikërisht në lidhje me këtë çështje, dijetari i nderuar Ibn Uthejmini, ka thënë: “Ngushëllimi më i mirë që mund të bëhet është trajta e ngushëllimit me të cilën Profeti ﷺ e ngushëlloi njërën prej bijave të tij Zejneben (Allahu qoftë i kënaqur me të!), kur ajo i dërgoi fjalë të vinte sepse djali i saj i mitur po ndërronte jetë, të cilës Profeti ﷺ i dërgoi të fala me fjalët e tij:

“Vërtet Allahut i takojnë çfarë merr dhe çfarë jep [Atij i takon tërë krijimi, ku çdo gjë bëhet dhe zhbëhet sipas Vullnetit të Tij suprem hyjnor] dhe çdo gjë tek Ai është me afat të përcaktuar, ndaj bëj durim dhe aspiro shpërblim [syno me durimin tënd shpërblim prej Allahut të Lartësuar, që Ai ta llogarisë këtë durim në favorin tënd, prej veprave tua të mira]! [1]

– Ibn Uthejmini vijon: Kurse fjalët që janë bërë publike ndër njerëz, të trajtës: “Allahu ta shtoftë shpërblimin!”, “Allahu të dhëntë një ngushëllim sa më të mirë!”, “Allahu e faltë të vdekurin tuaj [që thuhet nëse i vdekuri ka qenë prej muslimanëve]!”, janë përzgjedhur nga disa dijetarë, por trajta parësore dhe më e mirë e ngushëllimit është ajo me të cilën ka ardhur suneti (tradita profetike).” [2]

Ndërsa i ngushëlluari (familjari i të vdekurit) është mirë t’i përgjigjet ngushëlluesit me shprehje të tilla si: “Allahu të shpërbleftë!”- dhe ngjashëm.

Allahu e di më mirë.

Alaudin Abazi

—————

[1] Buhariu 1284, Muslimi 923.

[2] Shejh Uthejmini, “Mexhmu’u El-Fetaua” 17/339