Pyetja:

Punoj prej orës 8:30 deri në 18:00 dhe i fali 5 kohët e namazit, por problemi qëndron se sabahun mund ta fali me kohë në shtëpi, por sa i përket drekës dhe ikindisë nuk kam si, vetëm pasi ta mbaroj orarin e punës!

E di që është shumë mirë me fal namazin në kohën e caktuar por kur nuk janë mundësitë si të veprojë? A ka mundësi të më jepni një këshillë rreth namazit?

***

Përgjigjja:

Pasi veç e dini, siç jeni shprehur, rëndësinë dhe obligueshmërinë e faljes së namazeve në kohët e tyre, atëherë po i qasem drejtpërdrejt pyetjes suaj. Ju nuk keni problem tani për tani me kohën e ikindisë, pasi atë namaz mund ta falni pasi ta kryeni orarin e punës. Namazi i ikindisë qenka problem për ju gjatë periudhës së dimrit e që në atë rast mund të thuhet se është problem edhe namazi i akshamit, pasi edhe para orës 18:00 gjatë dhjetorit hyn koha e jacisë.

Problem i vazhdueshëm për ju qenka namazi i drekës në të gjitha stinët e vitit.

Nga të gjitha detyrat e një punëtori që kam dëgjuar deri më sot, nuk kam gjetur vështirësi që një punëtor t’i gjejë pesë minuta për ta falur bile farzin e drekës prej katër rekatesh. Vështirësi ka shumë që gjejnë e sidomos kur përballen me ndonjë shef, udhëheqës pune etj., të pandërgjegjshëm. Mirëpo punëtori i zellshëm për një kohë të shkurtër e arsyeton veten që t’i falen disa minuta për nevojat e tij ditore, ku ai me komoditet mund ta falë namazin.

Vendi ku ju punoni, duke u bazuar në informatat e shumë punëtorëve që punojnë aty, lirshëm mund t’i kryeni namazet ditore. Madje shumica e shefave janë shumë të mirëkuptueshëm, kur binden se punëtori i tyre ka bindje fetare, për një veprim siç është namazi. Andaj kam frikë se, ju motër, turpëroheni apo hezitoni ta shfaqni identitetin tuaj fetar dhe përfilljen e normave islame.

Nëse të gjitha arsyet për ta falë namazin e drekës në kohën e vet janë shtjerrë dhe vërtet nuk ka asnjë mundësi (e këtë vlerësojeni ju dhe arsyetojeni para Allahut e jo para njerëzve), atëherë shqyrtojeni mundësinë ta gjeni ndonjë punë tjetër sepse kështu nuk lejohet që kur të ktheheni në shtëpi ta falni farzin e drekës dhe pastaj ikindinë.

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku