Pyetja:
Nëse martohen dy namazlinj dhe fillohet të flitet me të madhe nga njerëzit për ta, a shndërrohet kjo në mësysh?
***
Përgjigjja:
Mësyshi është një e vërtetë e konfirmuar nga sheriati dhe realiteti. Allahu thotë:
“E ata që nuk besuan gati sa nuk të zhdukin ty me shikimet e tyre, kur e dëgjuan Kur’anin, e (nga inati) thanë: “Ai është i marrë!” (Kalem: 51)
Suddij gjatë komentimit të këtij ajeti ka thënë se bëhet fjalë për mësyshin. [1]
I Dërguari i Allahut, ﷺ ka thënë:“Mësyshi është realitet dhe sikur diçka të dilte nga kufijtë e kaderit do të dilte mësyshi, prandaj kur të kërkohet nga ju të laheni, përgjigjuni.”[2]
Ibën Kajimi thotë: “mësyshi është shigjetë që del nga shpirti i smirëkeqit drejt atij ndaj të cilit ka smirë. Kjo shigjetë herë e qëllon cakun e herë e gabon. Nëse e gjen cakun të pambrojtur, e dëmton e nëse e gjenë të përgatitur, të armatosur, shigjeta s’ka ku ta qëllojë, në këtë rast nuk e dëmton gjë madje mund që kjo shigjetë t’i kthehet vetë atij që merr mësysh.”
Mbrojtja nga mësyshi para se të ndodh nuk bie ndesh me bindjen se vetëm tek Allahu duhet të mbështetemi, madje kjo llogaritet prej tevekulit të mirëfilltë. I Dërguari ﷺ, ju lexonte nipave të tij Hasanit dhe Husejnit pa qenë të goditur nga mësyshi.
Pra besimtari vazhdimisht duhet të jetë i përgatitur nga sulmet e ndryshme që mund t’i vijnë nga djajtë dhe ziliqarët edhe atë duke u fortifikuar me ibadet dhe dhikër.
Dr. Shefqet Krasniqi
———————-
[1] Tefsir Begavij, 8/202
[2] Muslimi
[3] “Zadul mead”, vëllimi 4, fq: 154