Pyetja:

Parimisht e dimë që vendosja e këpucëve apo pandoflave para derës së xhamisë rrëmujë, dhe jo në  raftet e përgatitura enkas për to është mungesë rregulli dhe etike, dhe jep një pamje jo të mirë. Po në rastin kur vijmë me vonesë dhe duam të kapim rekatin, ose sa më shumë prej namazit a mund të lihen këpucët para derës pa sistemuar, sepse kemi parë plot raste ku arsyetohen me vonesën?

***

Përgjigjja:

Islami është fe, e cila përveç adhurimeve na mëson të jetojmë me rregull, etikë dhe disiplinë, dhe në  harmoni të plotë me njerëzit, kafshët, pemët, natyrën në përgjithësi, dhe me ambientin që na rrethon në veçanti. Për fat të keq sot shikojmë, që shumë muslimanë nuk i sistemojnë siç duhet gjërat në jetën e përditshme, duke filluar nga këpucët, pandufet, biçikletat, mjetet motorike, e deri te makinat, të cilat i vendosin keq, pa rregull, të pasistemuara dhe rrëmujë në shumë prej xhamive ku ata falen. E gjithë kjo në emër të vonesës, nxitimit, dhe arritjes së namazit, ndërkohë që kjo vjen më shumë si shkak i mungesës së edukatës, neglizhencës apo përtacisë. Mos të përmendim çështjen e korrektësisë në orare, e cila është bërë e zakonshme mungesa e korrektësisë pothuajse në të gjitha drejtimet, aq sa shpeshherë kjo gjë sjell dëm dhe padrejtësi te njëri-tjetri, pasi me prishjen e ekuilibrave të komunikimit dhe të menaxhimit t  rregullt është e pamundur të mos iu hysh në hak njerëzve ose punëve, që janë marrë përsipër dhe kjo shfaqet natyrshëm pikërisht te mënyra e sistemimit të këpucëve përpara xhamisë.
Për rastin konkret Profeti ﷺ ka thënë: “Kur të vini në namaz ejani duke mos nxituar, çfarë arritët prej tij faleni dhe çka ju iku plotësojeni!” [1] Hadithi na tregon të mos nxitojmë, por çdo gjë të vijë natyrshëm, çka do të  thotë se mund të  sistemosh këpucët apo sendet e tjera, të futesh në xhami me qetësi dhe të falesh në formën më të mirë, pa marrë parasysh se sa rekate arrite të kapësh, kështu fal namazin dhe ruan etikën dhe rregullat në tërësi.

Komisioni Pyetje & Përgjigjeve pranë Lidhjes së Hoxhallarëve të Shqipërisë

———————–

[1] Ahmedi, Muslimi dhe Tirmidhiu