Pyetja:
A kam bërë mëkat që me një shoqe i kemi shikuar disa skena erotike në filma?
***
Përgjigjja:
Vetë dëshpërimin që e ndjeni tregon se keni vepruar diç jo të natyrës së shëndoshë të mendjes së njeriut. Dhe, me të drejtë duhet të dëshpëroheni, sepse padyshim, një gjë e tillë është mëkat sipas Islamit. Në Islam është e ndaluar të zgjatet shikimi në fytyrën e tjetrit, që ka gjini të kundërt. Allahu thotë:
“Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre.” (Nur, 31)
Nëse vetëm shikimi i fytyrës është i ndaluar, vallë çfarë mund të jetë shikimi i një skeme, të cilën as mashkulli e as femra nuk guxojnë ta përjetojnë vetë (përveç çiftit bashkëshortor ndërmjet veti) e as ta shikojnë dikë tjetër?!! Ky padyshim është mëkat i madh, i cili mund ta çojë mëkatarin deri në mëkate të tjera edhe më të mëdha, siç është imoraliteti. Pamjet e tilla me bashkëshortin afër janë të ndaluara, e çfarë thua për një femër të pamartuar, e cila rrezikon ta humbas nderin e saj dhe të bëhet pre e imoralitetit dhe e prostitucionit si shkak i moslargimit të shikimit nga vendet e ndaluara.
Andaj, ju duhet të pendoheni dhe të kërkoni faljen e Allahut për mëkatin tuaj. Kujt t’i ktheheni, pos Allahut. Ai thotë:
“Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, pse vërtet Allahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është Mëshirues!” (Zumer, 53)
Shpresat vetëm tek falja e Tij ngjallen. Një mëkat nuk justifikon vazhdimin në të apo bërjen e një tjetri. Përkundrazi, dyert e pendimit te Allahu, janë të hapura çdo herë. Mirëpo, duhet të keni parasysh se për t’u pranuar pendimi juaj dhe për të shpresuar në faljen e Allahut për çdo mëkat, duhet t’i plotësoni këto kushte:
Ndjenja e pendimit (ju veç po e përjetoni përmes dëshpërimit),
Largimi i menjëhershëm nga mëkati, për të cilin pendoheni dhe
Mospërsëritja e atij mëkati.
Nëse plotësohen këto kushte, mund të shpresohet se Allahu e pranon pendimin dhe e falë mëkatin, në të kundërtën jo. Allahu e di më së miri!
Muhamed Dërmaku