Pyetja:
Para tre viteve kam qenë e martuar dhe kam ndejtur në atë familje vetëm katër muaj e gjysmë. Burri ka qenë shumë i pasjellshëm me mua se më maltretonte në shumë mënyra dhe unë u detyrova të ndahem prej tij por më e keqja është se unë në atë kohë nuk kam qenë e drejtuar në fenë e Allahut. Por, tash elhamdulilah jam e udhëzuar, e fali namazin dhe jam e mbuluar por shumë më bren puna që e kam bërë atë gabim edhe pse në atë kohë kam qenë vetëm 20 vjeçare. Po kam frikë se mos nuk po më falë i madhi Zot dhe kam dëshirë që ta gjej një djalë musliman i cili më kupton dhe ta harroj atë tragjedi se për mua ka qenë shumë vështirë.
***
Përgjigjja:
Në Islam gruaja nuk ka të drejtë të kërkojë shkurorëzim, vetëm në rast se i bën padrejtësi bashkëshorti atëherë ajo duhet të ankohet tek gjykatësi musliman e ai ka të drejtë t’i ndaj ata. Por, pasi nuk keni qenë e udhëzuar në atë kohë dhe ai ju ka bërë padrejtësi dhe keni ardhur në përfundim të dy palët që të mos jetoni bashkë nuk keni mëkat dhe edhe nëse ju jeni ndarë pa lejen e tij dhe nuk e keni ditur, inshallah jeni e arsyetuar ngase nuk e keni ditur dhe padyshim se njeriu që vepron një ndalesë me padituri arsyetohet. Allahu i falë mëkatet dhe pranon pendimin para se të vjen agonia e vdekjes siç thotë: “S’ka dyshim se Allahu nuk falë (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i falë kujt të do.” (Nisa: 48) Mbështetjuni Allahut se Ai të mjafton dhe lutjuni Atij se padyshim Ai do t’ua zëvendësojë atë me një musliman të ndershëm.
Bedri Robaj