Pyetja:

Unë jam me mendimin, se njeriu pa abdes nuk duhet ta prekë Mus’hafin (Kuranin), por a më lejohet që të lexoj Kuran nga celulari? A është prekja e tij në kohën që lexoj Kuran njëjtë si Mus’hafi?

***

Përgjigjja:

Mos-prekja e Kuranit pa pasur abdes është mendimi i të katër shkollave juridike, katër medh’hebeve, mirëpo nuk mund të jetë celulari në të njëjtin gjykim sikurse vetë Kurani, sepse celulari është multifunksional, përdoret si telefon, si regjistrues, si aparat video, si aparat fotosh, për ruatjen e materialeve nëpërmjet e-mailit, që mund të përdorësh aty dhe shërben për plot programe të tjera mes të cilave është dhe programi ku ke instaluar Kuranin për ta lexuar, prandaj dhe si i tillë, nuk mund të quhet Mus’haf. Ndërsa Mus’hafi fillim e mbarim përmban vetëm Kuranin, kurse Celulari mes dorës që e mban dhe vendit ku arrin të lexosh Kuranin ka hapësirë dhe shtresa, që nuk të lejojnë prekjen e drejpërdrejtë të fushës, ku duken të shënuara ajetet kuranore dhe për rrjedhojë nuk përbën problem, nëse lexon Kuran nga celulari pa abdes.

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë Lidhjes së Hoxhallarëve të Shqipërisë