Pyetja:

Çfarë gjykimi ka në Islam, nëse le një këndues të këndojë Kuran gjatë kohës, që nuk jam në shtëpi me qëllim që shtëpia të ketë begati.

***

Përgjigjja:

Së pari duhet të dimë që begatia e vërtetë prej Allahut në këndimin e Kuranit vjen, atëherë kur ne e lexojmë, meditojmë dhe punojmë me fjalën e Allahut të Madhërishëm, Kuranin. Ndërsa lënia e këndimit të Kuranit nëpërmjet regjistrimeve të ndryshme të recituesve të njohur, në kohën kur në shtëpi apo ambiente të tjera nuk ka njeri, nuk është e ndaluar, madje është e preferueshme përderisa Profeti ka thënë: “Shembulli i shtëpisë ku përmendet Allahu në raport me shtëpinë ku nuk përmendet Allahu është si shembulli i të gjallit me të vdekurin.”  [1] Por duhet patur parasysh, që përmendja e Allahut (dhikri), nuk duhet lënë pas dore apo neglizhuar nga vetë anëtarët e familjes, duke u arsyetuar se në shtëpi po këndohet Kuran dhe kjo është e mjaftueshme. Përtej kësaj pasi anëtarët e familjes falin namaz, bëjnë dhikër, këndojnë Kuran dhe adhurime të tjera, nëse dëshirojnë që edhe pa praninë e tyre në shtëpi të këndohet Kuran mund ta bëjnë këtë gjë dhe mund të shpresohet, që Allahu ta begatojë dhe bekojë atë shtëpi, sepse aty ku këndohet Kuran largohen shejtanët, afrohen melekët, zbret mëshira e Allahut dhe me këtë shpresohet begatia dhe bekimi prej Tij.

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë Lidhjes së Hoxhallarëve të Shqipërisë

————————–

[1] Muslimi nr. 779