Pyetja:

Ka të atillë që thonë: ‘Që nga kohët e lashta, njeriu ka qenë majmun dhe më pas
është transformuar.’ A është e vërtetë kjo thënie dhe a ka për të ndonjë argument?

***

Përgjigjja:

Kjo thënie nuk është e vërtetë. Dëshmi për këtë është se Allahu i Lartësuar i shpjegoi, në Kuran, etapat e krijimit të Ademit. Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet që shembulli i Isait tek Allahu është si shembulli i Ademit: Ai e krijoi atë prej dheut.” (Ali Imran, 59)
Pastaj, dheu është lagur, derisa është bërë baltë që ngjitet për dore. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe sigurisht që Ne e krijuam njeriun nga një copë balte” (Mu’minun, 12), dhe: “Sigurisht që Ne e krijuam atë nga balta ngjitëse.” (Saffat, 11)

Më pas, është bërë baltë (e zezë) e lëmuar. Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet që Ne e krijuam njeriun prej argjilës së poçarisë të baltës së zezë e të lëmuar.” (Hixhër, 26)
Pastaj, është tharë dhe është bërë argjilë, si balta e poçarisë. Allahu i Lartësuar thotë:
“Ai e krijoi njeriun (Ademin) nga balta e argjilës si balta e poçarisë.” (Rrahman, 14)
Allahu i Lartësuar i dha formën që deshi dhe i fryu shpirtin e vet. Allahu thotë:
“Dhe kujto kur Zoti yt u tha engjëjve: Unë do të krijoj një njeri (Ademin) prej
argjilës, prej baltës së zezë e të lëmuar. Kështu që, kur Unë t’i kem dhënë plotësisht formën atij dhe t’i kem fryrë shpirtin që e kam krijuar për të, atëherë bini përmbys në sexhde, para tij.” (Hixhër, 28-29)
Këto janë etapat e krijimit të Ademit, të cekura në Kuran. Ndërsa, në lidhje me etapat e
krijimit të pasardhësve të tij, Allahu i Lartësuar thotë:
“Dhe sigurisht që Ne e krijuam njeriun (Ademin) nga një copë balte. Pas kësaj, e
bëmë atë (njeriun, pasardhësin e Ademit) si Nurtfa (lëngu i ngjizur i bashkimit të
vezëve mashkullore me ato femërore), duke e strehuar atë në një banesë të sigurt (mitra e nënës). Pastaj, e bëmë Nutfan një copë gjak të mpiksur. Pastaj, gjakun e mpiksur e bëmë një xhungë mishi. Pastaj, i veshëm eshtrat me mish dhe pastaj e nxorëm jashtë si një krijim të ri. I shenjtëruar, pra, qoftë Allahu, më i Miri i krijuesve!” (Mu’minun, 12-14)

Sa i përket gruas së tij, atë e krijoi nga ai (Ademi). Allahu i lartësuar thotë:
“O ju njerëz! Jini të bindur (dhe përmbushmi detyrimet) ndaj Zotit tuaj, i Cili ju
krijoi nga një (shpirt) njeri i vetëm (Ademi) dhe prej tij krijoi bashkëshorten e tij, dhe nga ata të dy krijoi burra dhe gra të shumtë.” (Nisa, 1)

Me ndihmën e Allahut vjen suksesi. Paqja dhe bekimet qofshin mbi pejgamberin tonë
Muhamed, mbi familjen e tij dhe mbi shoqëruesit e tij.

Komisioni i Përhershëm për Fetva, nr 5167, fq. 69, vëll. 1