Pyetja:

Kur Allahu krijoi shpirtrat si u përcaktua fundi i tyre, se kujt do ti përkas Xheneti dhe kujt Xhehenemi?

***

Përgjigjja:

Pyetja e juaj bën pjesë në fushën e kadasë dhe kaderit – caktimit të Allahut, që është njëra nga fushat më të rënda të besimit për t’u shpjeguar. Mirëpo, pyetja e juaj konkrete për atë se si është përcaktuar fundi i shpirtrave, na jep një lloj lehtësie, ngase tekstet e shumta fetare e kanë sqaruar qartë këtë çështje.

Allahu i Madhërishëm di çdo gjë, dhe Ai para se t’i krijojë shpirtërat, e ka ditur se si do të jetë fundi i tyre, gjegjësisht a do të jenë në Xhenet apo në Xhehenem. Këtë gjë Ai e ka shkruar në Leuhi Mahfudh-Pllakën e mbrojtur. Ky shkrim ka të bëjë me atë se Allahu e ka shkruajtur atë që e di se si do të jetë. Ndërkaq, këtë fund të shpirtrave, shpirtrat e fitojnë vetë, varësisht prej asaj se a do të jenë në rrugën e Allahut, apo do të mashtrohen prej shejtanit dhe do të ecin hapave të tij.

Allahu i Madhërishëm në shumë ajete ka treguar se Xhenetin e ka përgatitur për robërit e Tij besimtarë e të devotshëm. Kjo do të thotë se për ta fituar Xhenetin duhet të besosh, ndërkaq besimi varet prej vetë personit a do të besojë apo jo. Poashtu, Allahu ka treguar se Xhehenemin e ka përgatitur për robërit e Tij jobesimtarë. Kjo do të thotë se në Xhehenem shkon ai që nuk beson, ndërkaq njeriu vetë zgjedh të mos besoj. Ja, të marrim shembull ajetin vijues:’’ Është i sigurt se ata që i sprovuan besimtarët dhe besimtaret dhe nuk u penduan; ata kanë dënimin e Xhehenemit dhe dënimin e djegies (10)’’ (El-Buruxh:10). Pra, ata e kanë këtë dënim, për shkak se kanë bërë vepra të këqija, i kanë torturuar besimtarët dhe besimtaret, dhe nuk janë penduar. Sikur të ishin penduar, nuk do të kishin dënim me djegie në Xhehenem. Do të thotë, ata me veprimet e veta e kanë fituar djegien në zjarrin e Xhehenemit, e jo se Allahu i Madhërishëm i ka detyruar apo e ka paracaktuar që ata të digjen.

Në ajetin vijues, Allahu i Madhërishëm ka thënë:’’ Ata që besuan dhe bënë vepra të mira, ata kanë Xhenete nën të cilët burojnë lumenj, e ai është suksesi më i madh.’’ (Buruxh: 11)

Poashtu, ata të cilët kanë besuar dhe kanë bërë vepra të mira, me besimin dhe veprat e mira, do të fitojnë shpërblim nga Allahu i Madhërishëm. Do të thotë, ata kanë besuar dhe kanë vepruar vetë për ta arritur këtë shpërblim. Normalisht, shpërblimi i madh që e jep Allahu nuk meritohet vetëm me veprat e njeriut, por Allahu na ka mëshiruar me atë që për pak vepra të mira, pas besimit, na jep kaq shpërblime të mëdha.

Allahu i Madhërishëm ka dërguar libra dhe pejgamberë për njerëzit që të udhëzohen në rrugën e drejtë, i thirr njerëzit të besojnë, e vetë njerëzit janë ata që vendosin se a do të besojnë apo jo. Thënë shkurt, Allahu e çon njeriun në Xhehenem për shkak të vetë mosbesimit të njeriut, dhe e çon njeriun në Xhenet për shkak besimit dhe punëve të mira të njeriut, në këtë rast, me mëshirën e Tij.

Për ato gjëra që ka dënim dhe shpërblim, ka edhe liri për njeriun që të zgjedh se si do të veprojë. Kjo, ngase Allahu nuk e dënon një njeri, nëse vetë Ai ia ka paracaktuar të jetë jobesimtar. E poashtu, çfarë logjike do të kishte shpërblimi, nëse për atë person vetë Allahu ka paracaktuar që të jetë i mirë.

Ta rrumbullaksojmë: Xhenetin dhe Xhehenemin e fitojnë njerëzit me atë që bëjnë vetë ata, e Allahu nuk i bën padrejtësi askujt.

Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu