Pyetja:

Nëse dikush ka një fëmijë të adoptuar që është djalë dhe një fëmijë të vetin që është vajzë, kujt i mbetet pasuria?

***

Përgjigjja:

Duhet ta dini, Allahu ju udhëzoftë, se adoptimi i fëmijës në Islam është i ndaluar, ngase adoptimi është i bazuar në gënjeshtra, mashtrime dhe falsifikime, e të gjitha këto dukuri të shëmtuara nuk kanë vend në Islam.

Sa i përket trashëgimisë së pasurisë, Allahu i Lartësuar e ka marrë përsipër shpjegimin e rregullave të trashëgimisë duke i sqaruar në Kur’anin Famëlartë me detaje kushtet që duhet të plotësojnë trashëgimtarët për të pasur të drejtë në trashëgimi. Allahu xh.sh. thotë:
”Ne u kemi caktuar për secilin trashëgimtar pjesën e pasurisë që e lënë prindërit ose të afërmit. E atyre që u keni premtuar, jepuani pjesën e tyre. Allahu është dëshmues mbi çdo send.” (Nisa: 33)

Afërsia e gjakut konsiderohet shkak për legjitimitetin e trashëgimisë ndërmjet të afërmve (personave të veçantë që meritojnë trashëgiminë) si dhe konsiderohet shkaku më i fuqishëm i trashëgimisë.

Në rastin konkret mungon kushti themelor për legjitimitetin e trashëgimisë, që është afërsia e gjakut, ngase djali i adoptuar nuk mund të konsiderohet trashëgimtar për shkak se nuk ka afërsi të gjakut me trashëgimlënësin, prandaj pasuria i mbetet vajzës, e cila është trashëgimtare e vërtetë si dhe pasardhësve të tjerë që mund të jenë, siç janë baba, nëna, gruaja, vëllai, motra, etj.. Për të dhënë përgjigje kujt i takon pasuria, duhet patjetër të kemi njohuri të sakta për afërsinë e trashëgimtarëve me trashëgimlënësin dhe në bazë të këtyre specifikave përcaktohen trashëgimtarët si dhe sasia e pjesës së pasurisë që i takon. Prandaj në këtë rast po rezervohemi nga përgjigjja, ngase na mungojnë të dhënat e domosdoshme.

Sipas sheriatit, pasuria e lënë pas vdekjes së njeriut ndahet në mes të trashëgimtarëve sipas pjesëve që ka përcaktuar Allahu i Lartësuar në Kur’anin Famëlartë, prandaj njeriu nuk ka të drejtë t’i lërë testament diçka nga pasuria ndonjërit prej trashëgimtarëve, por ai ka të drejtë të lërë testament më së shumti një të tretën e pasurisë për ata që nuk janë trashëgimtarët e tij, si p.sh., shokut, ndonjë jetimi, Bashkësisë Islame, ndonjë shoqate humanitare, etj.

Sa’d bin Ebi Vekasi ka kërkuar leje nga Pejgamberi ﷺ për të lënë testament dy të tretat e pasurisë së tij. I ka thënë: “Jo”. Pastaj i ka thënë: “Gjysmën?” I ka thënë: ”Jo”. I ka thënë: “Një të tretën?” Pejgamberi ﷺ i ka thënë: ”Një e treta, bile edhe një e treta është shumë. Që t’i lësh pas vete trashëgimtarët e tu të pasur është më mirë sesa të jenë nevojtarë, që kërkojnë lëmoshë nga njerëzit.” [1]

Prandaj në këtë rast djalit për të cilin përkujdeseni mund t’i lini testament më së shumti një të tretën e pasurisë, ndërsa pjesa tjetër e pasurisë i takon vajzës dhe trashëgimtarëve të tjerë nëse ka.

Alllahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Buhariu, nr. 2742; Muslimi, nr. (1628) 5.