Pyetja:

Nuk më ka falur Zoti fëmijë, a më lejohet të ndahem nga burri?

***

Përgjigjja:

Fillimisht themi se njeriu për nga natyra e tij ndien nevojë për të pasur fëmijë, ndaj prej begative më të mëdha që Allahu i Madhërishëm i dhuron njeriut është edhe pasja e fëmijëve trashëgimtarë.

Mirëpo besimtari i vërtetë e di fort mirë se dhuntia e të pasurit fëmijë është prej caktimit të Allahut të Lartësuar, prandaj i madhi Allah kujt të dojë i dhuron djem dhe vajza, e dikujt i dhuron vetëm djem, e dikujt vetëm vajza, ndërsa dikujt tjetër nuk i dhuron as djem e as vajza. Në lidhje me këtë Allahu xh.sh. thotë:

“Vetëm i Allahut është pushteti i qiejve e i tokës; Ai krijon çka të dojë; Ai i fal vetëm femra atij që do; e i fal vetëm meshkuj atij që do. Ose u fal çift, meshkuj e femra, por atë që do e lë pa fëmijë (steril); Ai është i dijshëm, i fuqishëm.” (Shura: 49-50)

Fakti që mospasja fëmijë është prej caktimit të Allahut të Lartësuar nuk do të thotë që njeriu të mos i marrë parasysh shkaqet që ndikojnë në fitimin e dhuntisë së të qenët prind, siç është duaja dhe kërkimi i faljes në kohët kur pranohet lutja, pastaj mjekimi me metoda mjekësore të lejuara, etj..

Nëse nëpërmjet mjekësisë vërtetohet se burri është steril dhe nuk mund të ketë fëmijë, kurse gruaja është e shëndetshme dhe dëshiron të ketë fëmijë, pra ndien nevojë që ta përjetojë ndjenjën e të qenët nënë, atëherë unë mendoj se në këtë situatë gruaja ka të drejtë të kërkojë shkurorëzim prej burrit, kurse burri duhet t’i japë shkurorëzimin.

Në këtë rast vlen të theksohet se mehrin [1] e kurorëzimit gruaja duhet t’ia kthejë burrit, ngase shkurorëzimi po ndodh me kërkesën e saj.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Mehri është dhurata që burri i ka dhënë gruas kur kanë bërë nikah, kurorë. Në të futen edhe rrobat dhe stolitë që i janë blerë nuses.