Pyetja:

Kam tridhjetë vjet e sëmurë dhe nganjëherë e lus Zotin që të ma marrë shpirtin, a bëj mëkat?

***

Përgjigjja:

Jeta e gjatë për besimtarin bamirës e vepërmirë është më e mirë sesa vdekja. Pejgamberi ﷺ kur është pyetur se cili prej njerëzve është më i miri, ka thënë: “Ai që ka jetë të gjatë me vepra të mira.“ E cili prej njerëzve është më i keqi? Ka thënë: “Ai që ka jetë të gjatë me vepra të këqija.“ [1]

Pra, jeta për besimtarin është dhunti që duhet shfrytëzuar duke bërë vepra të mira e istigfar-kërkimfalje, është mundësi për përmirësimin e ditëve të kaluara në mëkate, ngase ekziston mundësia e pendimit.

Duhet pasur parasysh se edhe sëmundja, ashtu si edhe sprovat e tjera, janë hajr për besimtarin. I Lartësuar qoftë Allahu, sa shumë ngrihet në shkallë të lartë e sa shumë pastrohet ai nga gjynahet me sëmundje e me bela të ndryshme, natyrisht nëse bën sabër! Ndoshta muslimani nuk ka mundur të adhurojë sa duhet Allahun, apo ka bërë edhe gjynahe sa ishte i ri, kurse Allahu nuk po dëshiron t’ia marrë shpirtin me gjithë ato gjynahe, por po dëshiron t’ia falë dhe prandaj i çon sprova, sëmundje, telashe, mërzi etj., etj., e ai bën sabër dhe pastrohet nga ato gjynahe. Allahu ndoshta dëshiron ta lartësojë robin e Vet në shkallë shumë të lartë në ahiret, prandaj i çon ndonjë sprovë që ai të bëjë sabër dhe pastaj kur të vdesë, ta fitojë atë shkallë të lartë në xhenet.

Me fjalë të tjera, jeta në këtë botë me vepra të mira, falënderim e durim është mundësia e vetme për të fituar shpërblimet e botës tjetër. Për këtë shkak Pejgamberi ﷺ e ka ndaluar që njeriu ta lusë Zotin për vdekjen e tij. Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Le të mos e kërkojë ndonjëri prej jush vdekjen dhe të mos lutet për të para se t’i vijë atij, ngase kur vdes ndonjëri prej jush, i ndërpritet puna e tij, ndërsa jeta besimtarit i shton vetëm mirësi.“ [2]

Ndërsa Buhariu shënon: “Le të mos e kërkojë ndonjëri prej jush vdekjen, ngase nëse është bamirës ka shpresë të shtojë bamirësinë, e nëse është keqbërës ka shpresë se do të përmirësohet.“ [3]

Kërkimi i vdekjes për shkak të ndonjë vështirësie apo sprove të kësaj bote është i ndaluar, ngase do të konsiderohej padurim ndaj fatkeqësisë dhe sprovës. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Le të mos e kërkojë ndonjëri prej jush vdekjen për shkak të së keqes që i ka ndodhur (për shkak të ndonjë sprove apo belaje), por nëse duhet patjetër, atëherë le të thotë: ”O Zot! Më bëj të jetoj përderisa jeta është për të mirën time dhe më bëj të vdes nëse vdekja është për të mirën time.“ [4]

Ai që lutet të vdesë shpreson se me vdekjen e tij do t’i ndërpritet vuajtja, por nuk i dihet, ngase nëse është keqbërës vuajtja mund të mos i ndërpritet, madje ndoshta edhe mund t’i shtohet. Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) transmeton se dikush në prani të Pejgamberit ﷺ ka thënë se ka vdekur një grua e për këtë shkak është qetësuar, nuk ka më vuajtje, telashe etj.. Me të dëgjuar këtë fjalë, Pejgamberi ﷺ hidhërohet dhe thotë: “Me të vërtetë qetësohet ai që i falen mëkatet.“ [5]

Si përfundim, themi se është e urryer, e papëlqyeshme, që njeriu të lutet për të vdekur për shkak të ndonjë fatkeqësie, sëmundjeje apo sprove që e godet, por duhet të bëjë durim me bindje e besim të paluhatshëm në Allahun e Madhëruar në mënyrë që t’i kalojë të gjitha sprovat që i ndodhin në jetë. E në vend të duasë për vdekje le të lutet për t’i dhënë Allahu sabër për ta përballuar atë sprovë dhe për të dalë prej saj faqebardhë.

E nëse duhet patjetër, si në rastin kur frikësohet prej sprovës në besimin e tij, apo ka frikë se nuk mund t’i durojë dhembjet e mëdha, apo e humb sabrin e më pas edhe shpërblimin, atëherë të mos thotë: ‘O Zot, gjithsesi ma merr shpirtin!’, por le t’ia lërë në dorë Allahut që Ai të zgjedhë atë që është më e mirë për të, për të jetuar apo për të vdekur, e le të thotë siç ka ardhur në hadith: “O Zot! Më bëj të jetoj përderisa jeta është për të mirën time dhe më bëj të vdes nëse vdekja është për të mirën time.”

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

——————————————–

[1] Tirmidhiu, nr. 2330, dhe ka thënë se hadithi është hasen sahih.

[2] Muslimi, nr. (2682) 13.

[3] Buhariu, nr. 7235.

[4] Buhariu, nr. 6351; dhe Muslimi, nr. (2680) 10.

[5]Ahmedi, nr. 24713. Shiko Silsile es-Sahihah të Albanit, nr. 1710.