Pyetje:
Falem ulur, ngase jam në muajin e nëntë të shtatzënisë dhe më duhet prej pas ruku-së të ulem në karrige për të bërë sexhde, por shpesh më duhet të mbahem me dorë te karrigia kur ulem ose çohem. A lejohet të mbahesh pak me dorë a jo?
Përgjigja:
Falënderimi i takon Allahut…Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij.
Lejohet që të falesh sipas mundësisë që ke, duke u bazuar në Fjalën e Allahut Subhanehu ue Teala:
(فَاتَّقُوا اللَّهَ مَا اسْتَطَعْتم)
“Keni frikë Allahun me aq sa keni mundësi.” [Sure Tegabun: 16]
Dhe Profeti (sal-lAllahu alejhi ue selem) gjithashtu thotë: “Nëse ju urdhëroj për të bërë diçka, bëjeni atë me aq sa keni mundësi.”
Për motrat të cilat janë shtatzëna dhe mundësia e uljes dhe ngritjes është e vështirë, ju faluni sipas mundësisë që keni.
- Nëse ke mundësi, qëndro në këmbë.
- Nëse nuk ke mundësi të qëndrosh në këmbë, lejohet që ta falësh ulur, duke u bazuar në hadithin e Imran Husejnit, i cili ishte i sëmurë dhe e pyeti Profetin (sal-lAllahu alejhi ue selem) për mënyrën e faljes së tij dhe ai i tha: “Falu në këmbë; nëse nuk mundesh, falu ulur; nëse nuk mundesh, falu shtrirë.”
Dhe nuk ka gjë që gjatë uljes dhe ngritjes së saj të mbahet në karrige.
/Përgjigje nga Dr Adelina Kuçana/




