Pyetja:

Pse Allahu nuk e ka shpallur këtë fe të bukur (Islamin) më herët se para 1442 viteve?

***

Përgjigjja:

Nëse thellohemi në historitë e të Dërguarve dhe se çfarë ata i kanë përcjellë njerëzimit me anë të shpalljes nga Allahu i Lartësuar, arrijmë në përfundimin se daveti (thirrja) e të gjithë të Dërguarve ishte një. Të gjithë kanë thirrur në adhurimin e të vetmit Zot dhe asnjëri nga ata nuk ka thirrur në ndonjë besim tjetër. Allahu i Lartësuar thotë:

Dhe Ne nuk kemi sjellë ndonjë të Dërguar para teje (O Muhamed) e të mos i kemi shpallur atij se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Meje, pra më adhuroni (vetëm Mua).” (Enbija: 25)

Gjithashtu thotë:

Ne kemi dërguar në çdo popull të Dërguar që (t’u thonë atyre): Adhuroni Allahun dhe largojuni tagutëve (çdo gjëje që adhurohet përveç Allahut).” (Nahl: 36)

Kështu, gjëja e parë dhe më e rëndësishme në të cilën ftonin të gjithë të Dërguarit e Allahut ka qenë veçimi i Allahut me adhurim dhe asnjëri nga ata nuk ka thirrur që t`i përkushtohet ndonjë adhurim dikujt tjetër përveç Allahut të Lartësuar.
Kjo ishte thirrja e Davudit, e Musait, e Isait, e Ibrahimit, e Is`hakut, e Ismailit dhe e të gjithë të Dërguarve të tjerë deri te Muhamedi ﷺ.

Allahu i Lartësuar thotë:

Ju (besimtarë) thoni: “Ne i besuam Allahut, atë që na u shpall neve, atë që iu shpall Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe pasardhësve të tij, atë që i është dhënë Musait, Isait dhe atë që iu është dhënë nga Zoti i tyre Pejgamberëve…”
(Bekare: 136)
Prandaj, në esencë feja e të gjithë të Dërguarve ishte e njëjtë, ashtu siç ishte i njëjtë edhe burimi i mësimeve të tyre, pasi të gjithë qenë të dërguar nga i njëjti Zot. Për këtë muslimanët janë në të vërtet ata që pasojnë të gjithë Profetët e Allahut dhe ata nuk mohojnë asnjërin nga ata.
Allahu i Lartësuar thotë:

I Dërguari (Muhamedi) i besoi asaj që iu shpall prej Zotit të Tij, si dhe besimtarët. Secili nga ata (besimtarët) i besoi Allahut, engjëjve të Tij, shpalljeve të Tij, të dërguarve të Tij. Ne nuk bëjmë dallim në asnjërin nga të Dërguarit e Tij, dhe thanë: “Dëgjuam dhe respektuam. Kërkojmë faljen tënde o Zoti ynë! Vetëm te Ti është ardhmëria jonë.” (Bekare: 285)

Kurse ata që pretendojnë se pasojnë Isain apo Musain, sikurse janë të krishterët dhe çifutët, në të vërtet ata pasojnë besime dhe mësime nga të cilat janë të pastër po ata të Dërguar për të cilët pretendojnë ata se i pasojnë. Isai alejhi selam kurrë nuk i ka thirrur që atë ta adhurojnë dhe nga ai të kërkojnë ndihmë dhe shpëtim, pasi edhe ai ishte njeri sikurse të tjerët i lindur pa baba, ashtu siç u krijua Ademi pa baba dhe nënë.
Allahu i Lartësuar thotë:
Vërtet, çështja e Isait (të lindur pa baba) tek Allahu është sikurse çështja e Ademit. Atë e krijoi Ai nga dheu, e pastaj atij i thaBëhu!” ai u bë.” (Ali Imran: 59)
Për këtë, kur Allahu i Lartësuar do t`i gjykojë të krishterët për pretendimet e tyre dhe shpifjet që i bëjnë të Dërguarve duke pretenduar për të vërteta, dëshmitar kundër tyre do të jetë Isai alejhi selam.
Allahu i Lartësuar thotë:

Dhe kur Allahu tha: “O Isa, bir i Merjemes, a ti njerëzve u the: “Më besoni mua dhe nënës time dy zota pos Allahut!?” (Isai) Tha: “Larg asaj të mete je Ti (o Zoti im). Nuk më takon mua ta them atë që s’është e vërtetë. Ta kisha thënë unë atë, ti do ta dije. Ti e di ç’ka në mua, e unë nuk di ç’ka në Ty. Ti je më i dijshmi i të fshehtave!” (Maide: 116)

Prandaj, vëlla i dashur, Islami nuk është fe që i është shpallur vetëm Muhamedit, bekimi dhe paqja qofshin mbi të, por është fe e të gjithë Profetëve të Allahut dhe Muhamedi është i Dërguari i fundit me të cilin është plotësuar shpallja dhe lidhja direkte ndërmjet Allahut të Lartësuar dhe njeriut.
Allahu i Lartësuar në Kuran i kritikon të krishterët dhe çifutët, të cilët vazhdimisht polemizojnë se Ibrahimi alejhi selam a ka qenë i besimit të krishterë apo çifut:

O ithtarë të librit, pse po polemizoni me ne rreth Ibrahimit? E, nuk ja në shpallur as Tevrati as Inxhilli, vetëm se pas tij?! A nuk e kuptoni (gënjeshtrën tuaj)?” Ja ju jeni ata që polemizuat edhe për atë që e dinit (për Isain) e përse polemizoni për atë që s’keni kurrfarë dije (për Ibrahimin)? Allahu e di të vërtetën e ju nuk e dini. Ibrahimi nuk ka qenë as jehudi as i krishterë, por ai ishte larg besimeve të kota, ishte musliman dhe nuk ishte prej idhujtarëve. Njerëzit më me meritë për t’u thirrur në Ibrahimin, ishin ata që e ndoqën atë (besimin e tij) dhe ky Pejgamber me ata që besuan (umeti i këtij). Allahu është mbrojtës i besimtarëve.”
(Ali Imran: 6568)

Prandaj, pa dyshim Allahu ashtu si nuk ka shpallur ndonjë fe tjetër, ashtu edhe nuk do të pranojë nga njerëzit fe tjetër përveç Islamit. Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi