Pyetja:
A është e rekomandueshme të bëhet kurban në emër të të vdekurit, si në rastin e të gjallit, edhe pse ata (të vdekurit) nuk na kanë lënë porosi për këtë, apo kurbani është një adhurim i veçantë, i kufizuar vetëm për të gjallët, me përjashtim të të vdekurit që na ka porositur për këtë?
***
Përgjigjja:
Ajo çka ne konsiderojmë është se kurbani është i ligjësuar vetëm për të gjallët, sepse kjo na është transmetuar nga i Dërguari i Allahut ﷺ. Kurbani është vetëm për të gjallët, me përjashtim të të vdekurit i cili ka lënë amanet që kjo të bëhet. Atëherë, kjo duhet të bëhet në emër të tijin, sepse i vdekuri ka lënë porosi për këtë me pasurinë e vet, dhe pasuria e tij është për të që ta shpenzojë si të dojë, për sa kohë që kjo nuk bëhet në mosbindje ndaj Allahut. Pra, bëni ashtu siç ka porositur ai.
Sa i përket të gjallit, ai bën kurban në emër të tijin, por s’ka problem që ai të bëjë kurban dhe të thotë: ”Kjo është në emër të familjes sime” dhe me këtë të mendojë edhe në të vdekurit, siç mund të shihet qartë nga veprimet e të Dërguarit të Allahut ﷺ, kur ai tha: ”Kjo është në emër timin, në emër të familjes së Muhamedit, dhe në emër të umetit të Muhamedit.” Kuptimi i drejtpërdrejtë është se këtu përfshihen si të gjallët, ashtu edhe të vdekurit.
Sa i përket bërjes kurban vetëm në emër të të vdekurit, kjo s’është transmetuar nga Pejgamberi ﷺ. Vërtet, bijat (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!) e të Dërguarit të Allahut ﷺ vdiqën; tri prej tyre vdiqën gjatë jetës së tij dhe ai nuk bëri kurban në emër të tyrin. Bashkëshortja e tij, Hadixhja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!), vdiq dhe ajo ishte më dashura nga gratë e tij dhe ai nuk bëri kurban në emër të sajin. Dhe axha i tij Hamza (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), ra shehid, por ai nuk bëri kurban në emër të tijin.
Sikur kjo të ishte e ligjësuar, i Dërguari i Allahut ﷺ do ta lejonte këtë për umetin e tij qoftë nëpërmjet thënies së tij, qoftë nëpërmjet veprimit apo miratimit. Meqë asnjëra nga këto s’ka ndodhur, dihet që kjo s’është ligjësuar.
Mirëpo, ne nuk themi se kjo është e ndaluar apo se është bidat, sepse kjo është e ngjashme me një sadaka, siç e kanë krahasuar disa dijetarë me sadakanë në emër të të vdekurit, dhe sadakaja në emër të të vdekurit është vërtetuar nga Suneti.
Shejh Ibn Uthejmin