Pyetja:

Një pjesë bukur e mirë e studentëve tash Kuranin në gjuhën arabe, apo të përkthyer e kanë në kompjuter. Më ka munduar një çështje: Kemi dëgjuar prej hoxhallarëve se Mus’hafi nuk bën të preket nëse njeriu është i pa pastër, ndërkaq tash pyes:A bën ta prekim monitorin e kompjuterit nëse jemi të pa pastër, apo kompjuterin në përgjithësi, pasi aty është Kurani?

***

Përgjigjja:

Është e vërtetë se një pjesë bukur e mirë e muslimanëve e kanë Kuranin në kompjuter apo CD, USB etj. Poashtu, është e vërtetë ajo që e keni dëgjuar se mus’hafi nuk bën të preket drejpërdrejtë duke qenë i pa pastër, sepse është fjalë e Allahut dhe duhet të jemi të kujdesshëm maksimalisht me fjalën e Allahut.

Duhet ta shprehim respektin tonë kulminant edhe me atë që mos e prekim mus’hafin të pa pastër. Krahas kësaj, duhet të mundohemi që mos të qëndrojmë gjatë kohë të pa pastër fetarisht, sepse e privojmë veten tone nga shumë të mira që na i mundësoi Allahu, fjala vjen leximi i Kuranit.

Mirëpo, kur flitet për kompjuterin apo CD, USB e mjete tjera të këtij lloji, duhet përmendur se këto nuk e kanë tretmanin e mus’hafit, sepse fjala mus’haf rrjedh prej fjalës suhuf, shumës i fjalës sahife, që do të thotë fletë-fletët. Është quajtur kështu sepse fletët në të cilat ka qenë i shkruar Kurani, janë tubuar në një vend dhe janë quajtur mus’haf.

Nisur nga kjo, CD dhe kompjuteri etj, nuk janë mus’haf sepse aty krahas Kuranit ka edhe gjëra-informata dhe materiale tjera. Poashtu, nuk kemi të bëjmë me fletë apo suhufe, por formë të veçantë të deponimit të të dhënave përmes programeve të caktuara.

Nëse e ke mus’hafin mbyllur, shkronjat janë të pa ndryshueshme dhe nuk pësojnë ndonjë konvertim, ndërkaq në CD, USB apo kompjuter, nëse nuk hapen përmes programeve të caktuara, apo kompjuteri nëse nuk është i aktivizuar, nuk kemi shkronja konkrete, por të konvertuara, dhe nuk prekim shkrim, por material prej plastike apo diçka tjetër.

Së këndejmi, prekja e CD apo USB apo kompjuterit që ka të memorizuar Kuranin nuk është i ndaluar nëse njeriu është i pa pastër, por e përsëris, muslimani nuk duhet të qëndrojë gjatë i pa pastër.

Allahu e di më së miri.

Bashkim Aliu