Pyetja:

A do të vdesë i gjithë krijimi së bashku me engjëjt?

***

Përgjigjja:

Ajo çfarë besojnë shumica e njerëzve është se i gjithë krijimi do të vdesë, madje edhe engjëjt si edhe engjëlli i vdekjes. Ka një hadith lidhur me këtë, i cili është merfu (d.m.th i
atribuohet Pejgamberit ﷺ).

Muslimanët, çifutët dhe të krishterët, të gjithë janë pajtuar se kjo është e mundur dhe se Allahu ka mundësi ta shkaktojë këtë. Vetëm disa grupe filozofësh, pasues të Aristotelit dhe të ngjashmëve me të, sʹjanë pajtuar rreth kësaj, si dhe ata të ashtuquajtur muslimanë që u janë bashkuar këtyre, siç janë autorët e fletëve të Ihuan el‐Suffa dhe të ngjashmit me ta, të cilët pohonin se engjëjt janë mendje dhe shpirtra dhe se nuk mund të vdesin në asnjë rrethanë, madje, sipas pikëpamjeve të tyre, ata janë zota dhe perëndi të kësaj bote.

Kurani dhe të gjitha shkrimet e tjera të shenjta pohojnë që engjëjt janë robër të Allahut, të cilët i nënshtrohen urdhrit të Tij, siç ka thënë Allahu:

“Mesia kurrë sʹdo të tregohet aq mendjemadh sa të refuzojë të qenit rob i Allahut, as engjëjt që janë afër (Allahut). Kushdo që refuzon adhurimin ndaj Tij dhe tregohet mendjemadh, Ai do tʹi tubojë ata të gjithë tek Ai.” (Nisa: 172)

“Ata thonë: ʹMë i Mëshirshmi (Allahu) ka lindur një bir (apo fëmijë)‘. Lavdi Atij! Ata (që i quajnë fëmijë të Allahut, dmth engjëjt, Isën, Uzejrin) nuk janë veçse robër të nderuar.” (Enbija: 26)

“Ka shumë engjëj në qiej, ndërmjetësimi i të cilëve sʹdo tʹu bëjë punë, përveç pasi Allahu tʹu ketë dhënë leje për kë të dojë Ai dhe për atë me të cilin Ai është i kënaqur.” (Nexhm: 26)

Allahu është i aftë tʹi bëjë ata të vdesin e pastaj tʹi kthejë prapë në jetë, mu siç Ai është i aftë tʹi bëjë njerëzimin dhe xhinët të vdesin e pastaj tʹi kthejë prapë në jetë. Allahu ka thënë:

“Ai është i cili nis krijimin e pastaj do ta përsërisë atë (pasi të ketë mbaruar/vdekur). Dhe kjo është më lehtë për Të.” (Rum: 27)

Është vërtetuar në një hadith sahih (të vërtetë) nga Pejgamberi ﷺ, nëpërmjet më shumë se një zinxhiri të transmetimit dhe më shumë se një sahabi, të ketë thënë:ʺKur Allahu e thotë Shpalljen, engjëjt zalisenʺ, dhe, sipas një transmetimi tjetër:ʺEngjëjt dëgjojnë diçka si një zinxhir që tërhiqet në gur dhe ata alivanosen. Pastaj, kur frika largohet nga zemrat e tyre, thonë:ʹÇfarë tha Zoti ynë?ʹ Ata thonë:ʹTë vërtetënʹ. Pastaj ata thërrasin:ʹTë vërtetën, të vërtetënʹʺ.

Në këto hadithe të vërteta na thuhet se ata alivanosen, kështu që, nëse ka mundësi që ata të alivanosen, ka mundësi edhe të vdesin.
Për sa i përket përjashtimit në ajetin  “…përveç atij që do Allahu”, kjo ka të bëjë me ata që janë pranuar në xhenetin e hyrijave, sepse në xhenet nuk ka vdekje. Dhe mund të vlejë për të tjerët, por nuk mund të jemi të sigurt rreth asaj se kush përjashtohet nga kjo. Është vërtetuar në El Sahih se Pejgamberi ﷺ ka thënë: ʺNjerëzit do të alivanosen në Ditën e Ringjalljes dhe unë do të jem i pari që do të zgjohem, dhe do ta shohë Musën të mbahet për këmbën e Fronit (Arshit). Nuk di nëse ai do të zgjohet përpara meje apo do të jetë ndër ata që Allahu i ka lënë të lirëʺ.

Nëse Pejgamberit ﷺ nuk i është thënë për secilin që do të lihet i lirë nga Allahu, atëherë nuk mund të jemi të sigurt për këtë. Kjo është si të dihet kur do të ndodhë kiameti, apo të dihen emrat e të gjithë pejgamberëve, dhe të tjera gjëra që nuk na janë treguar. Dhe kjo dije nuk mund të arrihet, përveç pasi të bëhet e njohur.

Dhe Allahu e di më së miri.

Shejh Islam Ibn Tejjmije, Mexhmu el‐Fetaua 4/259