Pyetja:

Një periudhë kam biseduar me një djalosh në internet dhe një herë, në një moment me emocione dhe epsh, i thash atij disa fjalë të cilat e hidhërojnë Allahun, bile mendoj se janë shirk, i thash që të më adhuron dhe se ai dhe unë nuk kemi nevojë që ta adhurojmë Allahun dhe ai u pajtua me kërkesën time. Pasi që e kuptova çfarë kam bërë u largova dhe e lash atë, pastaj shkova që të lahem, lypa falje prej Allahut, e shqiptova shehadetin [1] dhe shkova në Umre. Në Mekke qaja shumë dhe e lutja Allahun që të ma fal këtë gabim, andaj ju pyes a do të më fal Allahu, çfarë do të ndodhë me mua, çfarë duhet të bëj apo kjo vepër llogaritet aq mëkat i madh saqë çfarëdo të bëj Allahu nuk do të ma fal?!

***

Përgjigjja:

Ju keni rënë në dy gjynahe të mëdha:

1. Lidhja juaj me këtë djalosh është e ndaluar.

2. Thënia juaj atij djaloshi, d.m.th se nuk kemi nevoj për adhurim ndaj Allahut, është kufr dhe dalje nga Islami, Allahu na ruajt!

– Mirëpo prej mëshirës së Allahut ndaj krijesave të tij është se Ai e ka lënë derën e teubes të hapur dhe i ka urdhëruar njerëzit që t’i kthehen dhe nënshtrohen Atij, thotë Allahu: “Dhe të gjithë pendohuni tek Allahu, o besimtarë, ndoshta do të shpëtoni.” (Nur: 31) poashtu Zoti thotë:

O besimtarë! Pendohuni tek Allahu me një pendim të sinqertë.” (Tahrim: 8)

Allahu u ka premtuar falje atyre që pendohen: “Unë, me siguri, jam falës i madh për atë, i cili, pendohet, beson dhe bën vepra të mira, mandej  qëndron në rrugën e drejtë.” (Kjo i përfshin të gjitha gjynahet, gjynahet e mëdha dhe të voglat).

Teubeja është: Kthimi tek Allahu, largimi nga gjynahi, urrejta e gjynahit dhe pendimi (keqardhja) për kryerjen e saj, nëse plotësohen këta kushte për një person që pendohet, atëherë ka shumë gjasa që t’i pranohet teubeja, me lejen e Allahut. Pas kësaj etape nuk bën që të merret njeriu me vesvese se nuk i është pranuar teubeja, përshkak se këta vesvese janë ngacmime prej djallit dhe kjo gjë qartë e kundërshton atë që na e ka treguar Allahu dhe e Dërguari i Tij ﷺ, se pranohet teubeja e atij që është penduar sinqerisht.

Andaj, sado qoftë gjynahi i madh, nëse robi është i sinqertë në pendimin e tij, Allahu do t’ia falë atij gabimin. Poashtu vlen të përmendet se keni vepruar mirë atëherë kur jeni larë dhe kur e keni shqipëtuar shehadetin.

Përktheu: Ali Ashani

——————————

[1] Kjo bëhet kur njeriu hyn në Islam pasi që ka qenë jobesimtar apo kur ka qenë besimtarë dhe ka bërë diçka që e ka nxjerur nga feja e Allahut, kështu që e thotë Shehadetin me qëllim që të hyn përsëri në Islam.