Pyetja: Kam një fëmijë autik(me autizëm) dhe gjithmonë lutem për vdekjen e tij, sepse nuk jam më në gjendje ta përballoj, sidomos tani që po rritet. Babai i tij na ka lënë, dhe ai është bërë i fortë dhe po më rreh. Kam provuar edhe me rukje dhe e kam çuar në qendra islame, dhe kam provuar edhe ta edukoj. Jam lutur shumë, por Allahu nuk ka dashur që ai të shërohet, prandaj cili është gjykimi për lutjen time për vdekjen e tij, sepse them: O Allah, shëroje atë ose merrja shpirtin sa më parë të jetë e mundur?”

Përgjigja:
Falënderimi i takon Allahut.

Nuk lejohet lutja e tillë, sepse Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) e ka ndaluar lutjen kundër vetes ose fëmijëve të tij.

Xhabir bin Abdilah El Ensarij, radijallahu anhu, tregon se i Dërguari, salallahu alejhi we selem, ka thënë: “Mos u lutni kundër vetes tuaj! Mos u lutni kundër fëmijve tuaj! Mos u lutni kundër shërbëtorve tuaj! Mos u lutni kundër pasurisë suaj! Sepse ka mundësi që lutja juaj të ndodh në orën kur Allahu i Lartësuar jep (i përgjigjet lutjeve), dhe kështu të pranohet lutja e juaj.” E transmeton Ebu Dawudi me zinxhir të saktë

Nëse besoni se Allahu i Lartësuar do t’i përgjigjet lutjes tuaj që ky fëmijë të vdesë, atëherë pse nuk besoni se Allahu do t’i përgjigjet lutjes suaj që ai të shërohet dhe të udhëzohet dhe ta përmirësojë gjendjen e tij?

Shejh Ibn Uthejmin (Allahu e mëshiroftë) u pyet:

Është një grua, djali më i madh i së cilës imiton babanë e tij në kryerjen e disa veprimeve të ndaluara, prandaj ajo e urren atë për shkak të imitimit të babait të tij në kryerjen e veprave të ndaluara dhe duke mos pasur frikë Allahun, dhe për këtë arsye lutet për vdekjen e tij. Ajo po pyet për vendimin e lutjes ndaj djalit të saj.

Ai (Allahu e mëshiroftë) u përgjigj:

Sa i përket lutjes për vdekjen e djalit të saj, kjo është e gabuar. Nuk është e përshtatshme për këdo që sheh një person të devijuar të lutet për vdekjen e tij; përkundrazi ajo që duhet të bëjë është të përpiqet ta këshillojë sa më shumë që të jetë e mundur. Ai gjithashtu duhet të lusë Allahun xh.sh. që ta udhëzojë, sepse të gjitha gjërat janë në dorën e Allahut dhe zemrat e njerëzve janë në mes të dy gishtave të Tij dhe Ai i kthen ato si të dojë. Sa herë njerëzit janë dëshpëruar nga gjërat dhe kanë menduar se ato nuk mund të ndodhin kurrë, atëherë Allahu i Lartësuar i ka bërë të lehta për t’u arritur. Pra, mos mendoni se është e pamundur që Allahu, qoftë i lavdëruar, ta udhëzojë djalin tuaj. Lutuni që ai të udhëzohet dhe vazhdoni ta këshilloni, sepse Allahu ka fuqi për çdo gjë.” (Fetava Nur ‘ala ed-Darb 6/13-14).

Këshilla jonë për ju është që të ndaloni së luturi kundër djalit tuaj, dhe lutja juaj le të jetë për shërimin dhe udhëzimin e tij dhe për të arritur atë që është më e mira në këtë botë dhe në ahiret. Luteni Allahun që t’ju bekojë duke e bërë atë të devotshëm dhe të drejtë dhe t’ju largojë nga dëmet që ai po shkakton.

Ju gjithashtu mund të kërkoni ndihmën e një prej mahramëve tuaj mashkull, duke i kërkuar atij që të jetë vazhdimisht në kontakt me ju, në mënyrë që djali juaj të jetë i kujdesshëm ndaj tij dhe të mos ju lëndojë.

Lusim Allahun, Më Bujarin, që ta shërojë djalin tuaj dhe t’jua lehtësojë shqetësimin.

Dhe Allahu e di më së miri.

 

Burimi: islamqa.info