Pyetja:

A është rrizku (furnizimi) dhe martesa e shkruar në Pllakën e Ruajtur (Lehvi Mahfudh)?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Muhamedin, të Dërguarin e Tij, ﷺ.

Gjithçka që nga koha kur Allahu krijoi lapsin deri në Ditën e Kiametit është shkruar në Lehvi Mahfudh, sepse kur Allahu krijoi për herë të parë lapsin, Ai i tha: “Shkruaj”. Tha: “Zoti im, çfarë të shkruaj?” Ai tha: “Shkruaj atë që do të bëhet.” Kështu që në atë moment filloi të shkruante se çfarë do të ndodh deri në Ditën e Kiametit. Dhe është vërtetuar nga Pejgamberi ﷺ se kur fetusi në barkun e nënës është katër muajsh, Allahu dërgon një engjëll që t’i fryjë shpirtit dhe të shkruajë furnizimin e tij, jetëgjatësinë e tij dhe veprat e tij dhe nëse është i dënuar apo i bekuar.

Edhe furnizimi shënohet dhe lidhet me mënyrat e tij dhe nuk rritet e as pakësohet. Prej atyre mjeteve është që njeriu të punojë për të kërkuar furnizim, siç thotë Allahu:

“Ai është që juve tokën ua bëri të përshtatshme, andaj ecni nëpër pjesë të saj dhe shfrytëzoni begatitë e Tij, meqë vetëm te Ai është e ardhmja.” (Mulk, 15)

Mënyrat e tjera janë:

Ruajtja e lidhjeve farefisnore, si nderimi i prindërve dhe ruajtja e lidhjeve me të afërmit. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush dëshiron që furnizimi i tij të jetë i bollshëm dhe t’i zgjatet jeta, le t’i mbajë lidhjet farefisnore.”

Frika ndaj Allahut (takvaja), siç thotë Allahu:

“.. e kush u përmbahet dispozitave të Allahut, atij Ai i hap rrugë,
dhe e furnizon atë prej nga nuk e kujton fare. Kush i mbështetet Allahut, Ai i mjafton atij, Allahu realizon dëshirën e vet dhe Allahu çdo gjëje ia ka caktuar kohën
(afatin).” (Talak, 2-3)

Mos thuaj “Furnizimi është i paracaktuar dhe i kufizuar dhe unë nuk do të bëj asnjë nga gjërat që të çojnë në të”, sepse kjo është pafuqi; zgjuarësi dhe vendosmëri do të thotë përpjekje për të kërkuar furnizim dhe atë që do t’ju sjellë dobi në aspektin fetar dhe të kësaj bote. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Njeriu i zgjuar është ai që bën llogaritë e vetvetes dhe përpiqet të bëjë atë që i sjell dobi pas vdekjes, dhe i pafuqishëm është ai që ndjek tekat e veta dhe dëshiron e angazhohet në të menduarit e dëshiruar, (duke supozuar se Allahu do ta falë atë pavarësisht se çfarë bën dhe se ai nuk ka nevojë të përpiqet për vepra të mira).”

Ashtu si furnizimi është i shkruar dhe i lidhur me mënyrat e tij, po ashtu edhe martesa është e shkruar dhe e paracaktuar. Për të dy bashkëshortët shkruhet se ai ose ajo do të jetë bashkëshorti i këtij personi të caktuar. Asgjë nuk i fshihet Allahut në tokë e as në qiell.

Allahu e di më së miri.

Shejh Ibn Uthejmin

Burimi: islamqa.info