Pyetja:

Para një periudhe të afërt, ka bërë vetëvrasje një i afërmi imi dhe tani të gjithë vetëm për këtë mendojnë, se për çfarë arsye e ka bërë pasi i ka pasur të gjitha kushtet në jetë. Dhe, a është ky një mëkat shumë i madh që ai ka bërë?

***

Përgjigjja:

Vetëvrasja është prej gjynaheve më të mëdha sipas mësimeve islame.I Dërguari i Allahut, ﷺ,ka thënë:“Kush e mbytë vetën me ndonjë mjet,do të dënohet me të Ditën e Kiametit.” [1]
Vetëvrasja, padyshim nuk është rrugëdalje prej ndonjë problemi, por është futje edhe më e thellë në probleme, kur dihet se jeta e njeriut nuk përfundon me daljen e tij prej kësaj bote, pasi që njeriu është i pavdekshëm. Për gjithçka të shkuar duhet të pajtohemi, qoftë e mirë apo e keqe ajo e shkuar. Duhet të pajtohemi me kaderin dhe duhet ta dimë se ne nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, por duhet të punojmë për të ardhmen dhe mos t’i përsërisim gabimet e kaluara. Të marrim mësim edhe prej gabimeve të tjerëve. Mos e lodhni vetën tani për shkaqet e mundshme, që e kanë çuar të afërmin tuaj deri në vetëvrasje, sepse asgjë nuk mund të përfitoni. Ai po të donte të keni edhe ju qasje në telashet e tij, do ta hapte zemrën dhe do ta ndanit së bashku shqetësimin e tij, por sigurisht se shejtani e ka bindur më shumë që ai të përfundojë ashtu. Duhet ta dini se vetëvrasja është mëkat i madh dhe nuk e nxjerrë vetëvrasësin prej Islamit, andaj me gjithë mëkatin e rëndë, guxojmë dhe duhet të shpresojmë në faljen dhe mëshirën e Allahut, përderisa mëkatkryesi nuk ka dalë prej kornizës së muslimanit. Nga ju kërkohet që sa më shumë t’i intensifikoni duatë, që Allahu ta falë atë. Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku

——————————-

[1] Buhariu dhe Muslimi