Pyetja:

Doja që t’iu pyesja se, a i lejohet femrës me të përmuajshmet që ta lexojë Kuranin? Diku e dëgjova që po. Po nëse është kështu ajo si mund të marr abdes kur dihet se për të lexuar Kuranin duhet të merret abdes?

***

Përgjigjja:

Falenderimi i takon Allahut kurse salavatet dhe selamet të Dërguarit të Tij Muhamedit ﷺ!

Femrës me menstruacione nuk i lejohet ta prek Kuranin, domethënë nuk i lejohet ta lexoj duke e prekur atë me dorë. Kurse sa i përket leximit pa e prekur Kuranin, qoftë përmendësh apo duke qëndruar afër Kuranit porse pa e prekur atë, në këtë rast sipas një mendimi të dijetarëve i lejohet.

Të tjerët mendojnë se i lejohet vetëm përmendësh kurse me shikim në të jo. Unë mendojë se përmendësh i lejohet në të gjitha rastet, kurse duke shikuar në të pa e prekur i lejohet vetëm kur është duke e përsëritur nga frika që të mos e harrojë, apo duke mësuar faqe të re që e ka obligim në shkollë etj., pra me arsye.

Dhe them se në këtë lloj leximi nuk mendoj se duhet të presë shpërblim për atë lexim porse shpërblimi është vetëm për mundin e saj në kërkim të dijes. Nga ky këndvështrim themi se në këtë rast dhe këto forma asaj i lejohet leximi edhe pa abdes pasi ka arsyet dhe urgjencat e saja dhe bëhet me qëllim mësimi e jo adhurimi.

Ta përsëris për të mos harruar se në të gjitha rastet asaj nuk i lejohet prekja e tij direkte, por nëse ka nevojë për ta prekur atëherë e bën përmes gjërave ndërmjetësuese si doreza, peshqir, etj.

Allahu e di me se miri!

Lulzim Susuri