Pyetja:

Jam muslimane por nuk kam mbulesë, kontaktoj me një djalë katolik, shoqet më këshillojnë qe ta lë, por nuk mundem se atë e dashuroj shumë edhe ai mua më thotë se më do dhe më ka premtuar se do të më lejojë t’i kryej obligimet e fesë dhe fëmijët që do të na lindin do të jenë musliman. A më lejohet mua të martohem me të?

***

Përgjigjja:

Motër ju përderisa dëshmoni se jeni muslimane e keni haram ta doni krishterin dhe të kontaktoni me të. Si doni të martoheni me një njeri që i ka bërë shokë Allahut të Madhëruar. Allahu në Kuran thotë: “Mos u martoni as me idhujtarë deri që ata të besojnë (Zotin). Një rob besimtar është më i vlefshëm se idhujtari edhe nëse ai ju mahnit. Ata ju ftojnë për në zjarr, e Allahu me mëshirën e vet ju fton për në xhennet, për në shpëtim dhe u sqaron njerëzve argumentet e veta, ashtu që ata të përkujtojnë” (Bekare: 221)

Ndoshta e dini se në Islam femra ka të drejtë të kërkojë një sasi të pasurisë nga bashkëshorti në hapat e parë të fejesës, pasuri e cila quhet meher (këtë të drejtë e kanë vetëm muslimanët).

Transmetohet se Ummu Sulejmen (muslimane në kohën e Pejgamberit Muhamed ﷺ) e ka kërkuar Ebu Tal’ha, por ajo ka refuzuar, duke i thënë se mehrin e kishte të shtrenjtë, atëherë Ebu Tal’ha i prezantoi asaj një shumë prej ari dhe argjendi por ajo i tha se mehri i saj është më i shtrenjtë. I tha: cili është ai? Ajo i tha Islami! Ai tha: Kush më tregon si të hyj në Islam? Iu përgjigj: Unë! I tha Ummu Sulejm: Dëshmo se nuk ka zot që meriton të adhurohet, të duhet, të madhërohet, përveç Allahut të Madhëruar dhe se Muhamedi ﷺ është i Dërguari i Tij, atëherë Ebu Tal’ha e pranoi islamin dhe mehri më i shtrenjtë në botë ishte mehri i Ummu Sulejmes.

Motër bëhu si kjo muslimane, e mos iu beso fjalëve mashtruese se do të jesh e lirë të praktikosh fenë tënde pasi të martoheni me të, kujdes se mund të pikëlloheni në këtë botë dhe në botën tjetër, Allahu ju ruajttë.

Bedri Robaj