Pyetja:

A është haram gjuetia me fe: të gjuash kaproj, lepuj, etj., nëse kjo është e ndaluar nga ana e shtetit në të cilin jetojmë ne?

***

Përgjigjja:

Allahu Fuqiplotë ka lejuar për besimtarin të gjuajë të gjitha kafshët, mishi i të cilave lejohet për t’u ngrënë.

Kjo gjueti bëhet në tokë dhe det. Që të dyja janë të lejuara për muslimanin kurdo që dëshiron ai, me përjashtim të haxhiut që gjendet në haxh, ku i ndalohet të gjuajë në tokë kurse lejohet për të gjuajtja në det.

Por, nëse një vend apo shtet ndalon gjuetinë apo përcakton kohë për gjueti, atëherë duhet t’i përmbaheni këtij përcaktimi pasi që përmes këtyre ndalesave dhe përkufizimeve është për qëllim ruajtja e interesit të përgjithshëm, si p.sh.: synon të ruajë llojin e asaj kafshe, apo është koha kur mbarësohet ai lloj i kafshës, apo është rrezik të gjuhet në atë vend sepse ka këmbësorë e shumë arsye të tjera.

Allahu e di më së miri!

Fatmir Raçi