A lejohet në Islam që një nënë të konsumojë placentën* e saj pas lindjes?
Kam lexuar se në shumë vende është bërë e zakonshme që pas lindjes, gratë ta marrin placentën, ta ziejnë ose ta thajnë, dhe më pas ta konsumojnë në formë pluhuri apo kapsulash, me arsyetimin se përmban shumë vitamina dhe ndihmon në rikuperimin pas lindjes.
Do të doja të dija se cili është qëndrimi i fesë sonë lidhur me këtë. A lejohet një gjë e tillë?
Allahu ju shpërbleftë për çdo ndihmë dhe sqarim.
.
Përgjigjja:
Falenderimi i takon Allahut, Zotit të botërave.
Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij, mbi familjen dhe shokët e tij.
▣- Jo, nuk lejohet që një nënë të hajë placentën e saj pas lindjes, qoftë duke e zier, tharë apo kthyer në kapsula, për arsye shëndetësore apo për ndonjë tjetër, sepse ajo konsiderohet si një pjesë e trupit të njeriut, dhe ngrënia e mishit të njeriut është e ndaluar qartësisht (haram) në Islam.
▣- Argumentet fetare që e dëshmojnë këtë ndalim janë si më poshtë vijon:
1. Islami e ka nderuar trupin e njeriut, të gjallë apo të vdekur, dhe ka ndaluar çdo formë cënimi të tij.
●- Profeti Muhamed ﷺ ka thënë:
“Thyerja e eshtrave të një të vdekuri është sikur ta thyesh atë gjallë.”
(Hadith sahih, transmeton Imam Ahmedi dhe të tjerët)
Kjo tregon që edhe pas vdekjes, pjesët e trupit të njeriut duhen respektuar dhe nuk lejohen cënimi i tyre, aq më tepër për konsum.
2. Placentën e bartur nga nëna, shumica e dijetarëve bashkëkohorë e konsiderojnë pjesë nga trupi i njeriut (si gjaku, mishi, lëkura). Dhe grënia e mishit të njeriut është rreptësisht e ndaluar në Islam, madje as në raste të nevojës ekstreme.
●- Allahu i Lartësuar ka thënë:
﴿ وَلَقَدْ كَرَّمْنَا بَنِىٓ ءَادَمَ﴾
“Ne vërtet nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit)..” (El-Isra: 70)
– Imam Kurtubiu në tefsirin e tij shkruan:
“Nëse dikush gjendet në nevojë të skajshme dhe ka përpara mish të ngordhur, mish derri dhe mish njeriu të vdekur, atij i lejohet të hajë mish të ngordhur, sepse është i lejuar në rast të domosdoshmërisë; por nuk i lejohet të hajë mish njeriu, sepse njeriu ka nderin dhe shenjtërinë e tij.”
●- 3. Islami ka kushte të qarta për atë që lejohet të hahet (hallall): duhet të jetë e pastër, e dobishme, jo e neveritshme, dhe duhet të jetë e lejuar nga Sheriati.
Allahu i Lartësuar ka thënë:
﴿ يَا أَيُّهَا النَّاسُ كُلُوا مِمَّا فِي الْأَرْضِ حَلَالًا طَيِّبًا ﴾
“O ju njerëz, hani nga ç’ka në tokë të lejuar e të mirë…“[Bekare: 168]
Dhe thotë:
﴿ وَيُحِلُّ لَهُمُ الطَّيِّبَاتِ وَيُحَرِّمُ عَلَيْهِمُ الْخَبَائِثَ ﴾
“…U lejon atyre të mirat dhe ua ndalon të këqijat (të ndytat)…” [A’raf: 157]
Placentën nuk e përfshin përshkrimi i “të mirave” (الطيبات), sepse ajo nuk është as ushqim i këndshëm, as i natyrshëm për konsum.
▣- Ky ndalim është miratuar nga institucione të njohura fetare si:
Akademia Ndërkombëtare e Fikhut Islamik,
Autoriteti i Çështjeve Islame dhe Vakëfit në Emiratet e Bashkuara Arabe,
Drejtoria e Fetvave në Jordaninë Hashemite,
dhe Qendra e Fetvave në IslamWeb, përveç shumë dijetarëve bashkëkohorë.
▣- Si përfundim themi se: Placenta nuk konsiderohet ushqim i lejuar, as nga aspekti i shijes dhe natyrshmërisë, dhe as nga aspekti i ndershmërisë që Islami ia jep trupit të njeriut.
Ndaj, nuk lejohet konsumimi i saj, përveç nëse ka domosdoshmëri mjekësore të vërtetuar dhe mungesë totale alternativash, sipas gjykimit të ekspertëve.
Në një kohë kur njeriu shpesh ndjek çdo risi që i serviret si “moderne” apo “natyrale”; ashtu si në rastin e placentës që reklamohet si “e mbushur me hekur dhe minerale”, apo si “zgjidhje natyrale kundër depresionit pas lindjes”; është e rëndësishme të ndalemi dhe të pyesim veten para çdo praktike të re:
A është kjo e lejuar në fenë time?
A përputhet kjo me parimet e nderit dhe dinjitetit që Islami ia jep trupit të njeriut?
A është vërtet kjo dobi e vërtetuar dhe e qëndrueshme, apo thjesht një modë që përcillet verbërisht?
Muslimanja nuk është ndjekëse e çdo mode që shpiket aq më tepër e praktikave që mbeten të diskutueshme mjekësisht dhe të papranueshme fetarisht. Ajo është e vetëdijshme, e ndershme dhe e kujdesshme në çdo vendim që ka të bëjë me trupin, nderin dhe fenë e saj.
E reja nuk është domosdoshmërisht e mirë, dhe e natyrshmja nuk është gjithmonë e lejuar.
Ajo duhet të ndalet, të pyesë dhe të vendosë me dritën e dijes, jo me verbërinë e rrjedhës. Ndaj, një myslimane që e do Allahun dhe e respekton trupin që Ai i ka dhuruar, nuk e trajton trupin e saj si mjet për eksperimente. Ajo e di se çfarë ka lejuar Zoti i saj është më e pastër, më e sigurt dhe më fisnike.
Allahu e di më së miri.
Dr. Adelina Kuçana
*Placenta është një organ i përkohshëm që zhvillohet në mitrën e gruas gjatë shtatzënisë. Ajo ka funksione shumë të rëndësishme për rritjen dhe zhvillimin e foshnjës në bark, duke përfshirë:
Furnizimin me oksigjen dhe lëndë ushqyese për foshnjën nga nëna.
Eliminimin e mbeturinave nga gjaku i foshnjës.
Prodhimin e hormoneve që ndihmojnë në ruajtjen e shtatzënisë.
Pas lindjes, placenta del nga trupi i nënës dhe zakonisht trajtohet si mbetje mjekësore. Në disa kultura, ajo ruhet, varroset ose konsumohet, por në Islam, konsumimi i saj është temë që trajtohet me kujdes për shkak të ndalesës së përgjithshme për konsumimin e trupit të njeriut, edhe nëse është pjesë e vetes.




