Pyetja:

Kam marrë pjesë me disa muslimanë në një numër debatesh këtu në Amerikë rreth profetëve të fundit (hatam en-nebijen). Çfarë nënkuptohet me ‘khatam’ në arabisht; a është “e fundit” apo “vulë”? Dëshmia për këtë nga Kurani dhe Suneti – a bie ndesh zbritja e Isait (paqja qoftë mbi të) me idenë e “hatam en-nebijin” apo jo? Cili është gjykimi për dikë që nuk beson se Muhamedi ﷺ ishte i fundit nga pejgamberët ose se nuk do të ketë asnjë profet pas tij; a është mosbesimtar apo jo? A lejohet falja pas tij nëse nuk ka xhami në lagjen tonë?

***

Përgjigjja:

Falenderimi i takon Allahut!

Profeti Muhamed ﷺ është i fundit nga profetët. Ai ﷺ tha: “Unë jam i favorizuar ndaj profetëve të tjerë në pesë mënyra: Më është dhënë ndërmjetësimi dhe vargu i profetëve përfundon me mua…” Kështu ai ﷺ deklaroi se ai është i fundit prej tyre. Allahu i Lartësuar thotë:

“Por ai ishte i dërguari i Allahut dhe vulë e të gjithë pejgamberëve.” (Ahzab: 40)

Fjala e përkthyer këtu si ‘vulë’ është ‘hatam’; sipas një recitimi alternativ, fraza është “Khaatim en-nebijeena”, që do të thotë se ai është i fundit prej tyre. Dhe Pejgamberi ﷺ tha: “Unë jam i fundit nga pejgamberët; nuk do të ketë asnjë profet pas meje.”
Me fjalë të tjera, seria e profetëve të Allahut përfundoi me të dhe nuk do të ketë asnjë profet apo të dërguar pas tij.

Pa dyshim, kur të zbresë Isai (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të), ai do të ndjekë mësimet e Muhamedit ﷺ dhe do të sundojë në përputhje me to. Pra, ai nuk duhet të konsiderohet si profet pas të Dërguarit të Allahut; përkundrazi ai do të jetë një nga ummeti i tij dhe do të sundojë në përputhje me mësimet e tij (sheriatin).

Kushdo që pretendon se do të ketë një profet të ri është mosbesimtar. E njëjta gjë vlen edhe për atë që thotë se është e mundur që një profet tjetër mund të vijë pas Muhamedit ﷺ, ose se ky ligj (sheriati) nuk është ligji i fundit. Një person i tillë është mosbesimtar dhe nuk duhet të falesh pas tij nëse dihet se ky është besimi i tij. Nëse kjo vërtetohet, atëherë ju duhet ta përsërisni namazin që keni falur pas tij, edhe nëse e falni atë namaz vetë.

Shejh Abdullah Ibn Xhibrin

Marr nga: islamqa.com