Pyetja:

Në lidhje me hadithin ʹKushdo që tregon armiqësi ndaj atij që më përkushtohet Mua…ʹ, e deri në fund të hadithit, ku Ai, më i larti, ka thënë ʹNuk ngurroj në ndonjë gjë më shumë sesa ngurroj në marrjen e shpirtit të robit Tim besimtarʹ. A do të thotë kjo se Allahu mund të përshkruhet si ngurrues? Si duhet ta kuptojmë këtë?

***

Përgjigjja:

Nuk është e lejueshme të përshkruhet Allahu si ngurrues në kuptim të përgjithshëm, për shkak se Allahu ka përmendur ngurrimin në këtë çështje: ʹNuk ngurroj në ndonjë gjë më shumë sesa ngurroj në marrjen e shpirtit të robit Tim besimtarʹ.
Ky ngurrim nuk është për shkak të pasigurisë për drejtësinë në këtë çështje, apo se a ka mundësi të bëhet kjo, apo jo. Kjo është për shkak të mëshirës dhe dhembshurisë që Ai ka ndaj robit besimtar.  Kështu, në të njëjtin hadith, Ai ka thënë: ʺ… ai e urren vdekjen, kurse Unë e urrej ta lëndojë atëʺ.

Kjo sʹdo të thotë se Allahu mund të përshkruhet si ngurrues lidhur me fuqinë dhe dijen e Tij, ndryshe nga qenia njerëzore, e cila ngurron, kur dëshiron të bëjë ndonjë gjë, apo sepse është e pasigurt lidhur me rezultatin; a ka të drejtë, apo jo; apo a është e aftë ta bëjë atë gjë. Kjo nuk është e zbatueshme në rastin e Zotit, qoftë i Lartësuar dhe i Madhëruar.ʺ [1]

Shejhul‐Islam Ibn Tejmije qe pyetur se çka mendohet me ngurrimin e Allahut në këtë hadith. Ai u përgjigj: ʺKy hadith është shënuar në Buhari, nga Ebu Hurejre, dhe është një ndër hadithet më bujare, që është transmetuar lidhur me cilësitë e evlijave [të afërmve të Allahut]. Një grup e hodhi poshtë këtë formulim dhe tha se Allahu nuk mund të përshkruhet si ngurrues, dhe se vetëm ai që nuk i njeh pasojat, ngurron, kurse Allahu i di më së miri pasojat. Dhe disa nga ta thanë: ʹMe gjasë, kjo do të thotë se veprimi i Tij mund të përshkruhet si i ngurruar, por Ai nuk është ngurruesʹ.

Mirëpo, në fakt, fjalët e të Dërguarit të Tij ﷺ janë të vërteta dhe askush nuk e njeh Allahun më mirë se Ai ﷺ, dhe askush nuk ka qenë më i sinqertë ndaj umetit të tij sesa ai, apo më elokuent, apo më i qartë në shpjegimin e gjërave. Pasi të kuptohet kjo, mund të themi se, ata që mundohen të jenë të mençur dhe e mohojnë këtë, janë ata që kanë devijuar më së shumti dhe janë ndër më të paditurit ndër njerëzit. Vërtet, ata duhet të qortohen dhe të dënohen, kurse fjalët e të Dërguarit të Allahut ﷺ duhet të mbrohen nga interpretimet e gabuara dhe nga besimet e prishura. Nëse dikush prej nesh ngurron ngaqë nuk e di se çfarë pasojash do të ketë, atëherë ngurrimi nga ana e Allahut është i një lloji tjetër, sepse asgjë sʹështë sikurse Ai, qoftë në qenien e Tij apo cilësitë e veprat e Tij. Veç kësaj, ngurrimi sʹbëhet vetëm për shkak të mungesës së dijes rreth pasojave, sepse ndonjëri prej nesh mund të ngurrojë ngaqë është i pasigurt për pasojat apo për shkak të vlerësimit të dobive dhe dëmeve, kur të zgjidhet njëra prej opsioneve. Kështu, ai mund të bëjë diçka, për shkak të interesave të caktuara, por ai mund të mos e bëjë këtë edhe për shkak të pasojave negative të saj e jo ngaqë është i pavetëdijshëm për dëmet dhe dobitë e një veprimi të caktuar.

Kjo është si në rastin kur një person i sëmurë e merr ilaçin e hidhur, dhe kur një besimtar bën vepra të mira, të cilat nuk i pëlqen. Në el‐Sahih, thuhet: ʺXhehenemi është rrethuar me gjëra të dëshirueshme, kurse xheneti është rrethuar me gjëra të pakëndshmeʺ. Dhe Allahu ka thënë: “Xhihadi (luftimi në Rrugë të Allahut) ju është urdhëruar juve, ndonëse nuk e pëlqeni këtë …” (Bekare: 216)

Kështu mund ta kuptojmë fjalën ʺngurrimʺ në këtë hadith kudsij: Allahu ka thënë:ʺRobi Im
vazhdon të më afrohet me punë të vullnetshme, kështu që Unë do ta dua atëʺ. Personi i tillë bëhet i dashur i Allahut dhe e do Atë, dhe, në rend të parë, i afrohet Atij duke kryer obligimet që i do Allahu, pastaj përpiqet të bëjë vepra të vullnetshme [nafile], të cilat i do Allahu dhe i do ata që i bëjnë ato. Pra, ai bën çfarë mundet nga ajo që Allahu do, prandaj Allahu e do atë. Zoti nuk e pëlqen ta lëndojë robin e Tij dhe të dashurin e Tij… Por, Allahu, më i Larti, e ka caktuar vdekjen, dhe gjithçka që Ai ka caktuar është prej vullnetit të Tij dhe ajo, patjetër, do të ndodhë. Kështu, vullneti i Zotit është që robi të vdesë, për shkak të caktimit të Tij, ndonëse Ai nuk e pëlqen ta lëndojë robin e Tij, çka i referohet dhimbjes që vjen me vdekjen. Pra, vdekja bëhet diçka që Allahu e do për një arsye ndërsa nuk e pëlqen për një arsye tjetër, gjë që mendohet me ngurrimin, kur një gjë dëshirohet për një arsye dhe nuk pëlqehet për një arsye tjetër. Njëra nga këto dyja patjetër do të mbizotërojë, mu siç duhet të ndodhë caktimi hyjnor i vdekjes, ndonëse Allahu nuk e pëlqen ta lëndojë robin e Tij. Dhe vullneti i Tij që besimtari të cilin Ai e do duhet të vdesë, nuk është si vullneti i Tij që mosbesimtari [kafiri] të cilin Ai e urren, të vdesëʺ. [2]

————————————————————————-

[1] Shejh Uthejmin, Likaʹat el‐Bab il‐Meftuh (59/12)

[2] Mexhmu el‐Fetaua (18/129)