Pyetja:
Ka kohë që jam njohur me një vajzë dhe kemi kaluar qysh është më së miri dhe vajza vendosi të bëjë një kontroll te mjeku dhe mjeku i tha se nuk mund të mbetet shtatzënë. Vajza, prej dashurisë së madhe, nuk do të martohet me mua. Thotë që nuk do që të më marrë në qafë e të mbetem pa familje. Nuk di si t’ia bëj, kur shumë duhemi.
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Fillimisht ju përsërisim atë që e kemi theksuar shumë herë, se kontaktet paramartesore mes mashkullit dhe femrës, të gjitha janë të ndaluara.
Pastaj, në lidhje me problemin e vajzës dhe se çfarë do të duhej që ju të vepronit, është shumë vështirë që t`ju përgjigjemi, pasi nuk e dimë sa thellë ka shkuar lidhja juaj dhe rrethanat e tjera. Megjithëkëtë, ju themi se mendimi i mjekut, posaçërisht me një ekzaminim të thjeshtë, nuk do të duhej të ishte parametër për ju që të përfundoni se kjo vajzë është sterile. Prandaj, ne do t`ju këshillonim që ta vërtetoni këtë më qartë me disa kontrolle më të sigurta. Krahas kësaj, ju themi se nuk do të duhej që të ishte vendimi i juaj i ndërlidhur vetëm me çështjen se ajo nuk mund të lindë, pasi pa dyshim pasardhësit janë synim i martesës, por ekzistojnë mënyra të tjera për ta evituar këtë. Lus Allahun e Lartësuar që të gjeni të mirën në këtë botë dhe në botën tjetër!
Alaudin Abazi