Falënderimi i takon Allahut, lavdërimi dhe paqja e Tij qofshin mbi të Dërguarin dhe ithtarët e tij:

Ai që goditet nga sihri nuk i lejohet të kërkojë shërimin me ndonjë sihër tjetër, ngase e keqja nuk largohet me të keqe, mosbesimi me mosbesim, porse e keqja largohet me një të mirë.

Kur u pyet i Dërguari për zgjidhjen e nyjave të sihrit ‘nushre-n’ tha: “ajo është punë e djallit”. Në këtë hadith i Dërguari u pyet për shërimin e sihrit me sihër tjetër. Për sa i përket shërimit të sihrit me Kuran, barëra të lejuara, si dhe me rukje (yshtje) të ligjshme, që të gjitha janë të lejuara përkundër shërimit me sihër, siç u tha më lart, sepse sihri është adhurim i djajve. Sihirbazi bën sihër dhe e njeh atë, pasi që ai adhuron djajtë, meqë ju shërben atyre, pastaj ata i ofrojnë atij atë që dëshiron, ia mësojnë atij mënyrën se si bëhet sihri. Falë Allahut e kemi të lejuar shërimin e sihrit me lexim Kurani, me lutje të transmetuara nga i Dërguari si dhe me barëra të lejuara, ashtu siç lejohet mjekimi i të sëmurëve nga sëmundjet e ndryshme. Kjo nuk do të thotë patjetër që ai person do të shërohet, sepse jo çdo i sëmurë shërohet. Një i sëmurë mund të mjekohet dhe të shërohet nëse e ka të caktuar vdekjen për më vonë, mirëpo mund edhe të mos shërohet dhe të vdesë nga ajo sëmundje, edhe nëse mjekët më të mirë tentojnë ta shpëtojnë. Atëherë kur vjen vdekja, ilaçi nuk bën dobi. Allahu i Lartësuar thotë: “Po, Allahu nuk e shtyn kurrsesi askënd për më vonë, kur atij t’i vijë afati i vet.”(Munafikun:11). Medicina dhe barërat ndihmojnë nëse vdekja nuk vjen dhe Allahu cakton shërimin për robin e Tij. E njëjta gjë vlen edhe për atë që është goditur nga sihri. Allahu mundet që të caktojë për të shërimin, por mundet edhe të mos caktojë shërimin dhe ta sprovojë për shumë shkaqe, prej tyre: mundet që ai, i cili mundohet ta shërojë nga sihri të mos e ketë ilaçin e duhur për këtë sëmundje. I Dërguari ka thënë: “Çdo sëmundje ka ilaç, kur goditet ilaçi i një sëmundjeje atëherë arrihet shërimi me lejen e Allahut”, po ashtu ka thënë: “Për çdo sëmundje Allahu ka zbritur shërim, e di kush e di s’e di kush s’e di.”

Prej ilaçeve që ofron Sheriati për t’u shëruar nga sihri është leximi i Kuranit. Të sëmurit nga sihri i lexohet kaptina më e madhe e Kuranit, që është kaptina Fatiha. I përsëritet ky lexim. Kur ia lexon një besimtar i devotshëm, i cili e di se gjithçka është me caktimin e Allahut, Ai i ka në dorë të gjitha, nëse i thotë një gjëje bëhu, ajo bëhet. Kur leximi i Kuranit vjen nga besimi, devotshmëria, sinqeriteti dhe përsëritet; magjia zakonisht mënjanohet me lejen e Allahut. Disa prej shokëve të të Dërguarit kaluan një herë pranë një fshati kryeplakun e të cilit e kishte kafshuar gjarpri. Fshatarët ishin përpjekur me çdo gjë ta shërojnë, mirëpo më kot. Shkuan te sahabët dhe i pyetën: Mos vallë ka ndonjë lexues (yshtës) në mesin tuaj? Njëri prej tyre u përgjigj dhe shkoi dhe ia lexoi suren Fatiha. Kryeplaku u shërua aty për aty dhe u ngrit në këmbë, Allahu e shpëtoi nga sherri i kafshimit të gjarprit. I Dërguari ka thënë: “Yshtjet janë të pranuara përderisa në to nuk ka shenja idhujtarie”. I Dërguari, edhe ka lexuar, edhe i është lexuar atij. Leximi, pra, është shumë i dobishëm, nëse të sëmurit nga sihri i lexohet surja Fatiha, Ajetul Kursij, Kulhuvallahu ehad, si dhe kaptinat Felek dhe Nas, apo edhe ajete tjera nga Kurani, duke ua bashkëngjitur këtyre lutjet e mira të transmetuara nga i Dërguari, si për shembull lutje që ia bëri ai disa të sëmurëve: “O Allah, Zot i njerëzve, largoje sëmundjen dhe shëroje, sepse vërtet Ti je Shërues, s’ka shërim pos shërimit Tënd, me një shërim që nuk do të pasohet me sëmundje”. Këtë lutje e përsërit tri herë apo më shumë. Po ashtu prej lutjeve të të Dërguarit, që na është transmetuar është: “Në emër të Allahut të lexoj, kundër çdo gjëje që të pengon, kundër sherrit të smirëkeqit apo syrit ziliqar, Allahu të shëroftë, në emër të Allahut të lexoj” e lexon tri herë këtë dua madhështore, të vërtetuar nga i Dërguari e që i lexohet atij që është kafshuar nga gjarpri apo akrepi, të sëmurit nga sihri, apo ndonjë të sëmuri tjetër në përgjithësi. Lutjet e mira mund të thuhen edhe nëse nuk janë të transmetuara nga i Dërguari, me kusht që në to të mos ketë gjëra të ndaluara, duke u mbështetur në fjalët e përgjithshme të të Dërguarit:“Leximet pranohen përderisa në to nuk ka shenja idhujtarie”. Ndonjë i sëmurë apo ndonjë i goditur nga sihri mund të shërohet pa lexim dhe pa shkakun e njeriut, por thjeshtë Allahu me fuqinë e tij e shëron. Ai ka urtësi të përsosur për çdo gjë. Allahu thotë: “Kur Ai dëshiron ndonjë send, urdhri i Tij është vetëm t’i thotë: “Bëhu!” Ai menjëherë bëhet.”(Jasin: 82) Allahut i takon falënderimi për çdo gjë që cakton, Ai ka urtësi të përsosur.

Ndonjë i sëmurë mund edhe të mos shërohet, ngase e ka plotësuar afatin e jetës dhe i vjen vdekja. Prej ilaçeve që përdoret kundër sihrit është edhe leximi i ajeteve të sihrit në ujë, si për shembull ajeti: “E Ne e frymëzuam Musain (duke i thënë): “Hidhe shkopin tënd!” Kur qe, ai gëlltiste atë që kishin magjepsur. Atëherë u dëshmua e vërteta dhe u zhduk ajo që kishin përgatitur. Aty u mundën ata (magjistarët dhe faraoni) dhe u kthyen të poshtëruar.” (Araf: 117-119) ajetet 28 deri më 79 të sures Junus, po ashtu ajetet 65 deri në 69 të sures Taha. Me këto ajete Allahu mund të shërojë sihrin. Nëse lexohen në ujë pastaj lexohet surja Fatiha, Ajetul Kursij, Kulhuvallahu ehad, surja Felek dhe Nas, në ujë vendosen shtatë gjethe zambaku të ujit pasi shtypen, do të ishte mirë dhe e përshtatshme siç e ka përmendur dijetari Abdurahman ibën Hasen në librin “Fet-hul Mexhid”, kur trajton temën e shërimit nga sihri.

Qëllimi është të sqarojmë se këto ilaçe dhe të ngjashme me to mund të shërojnë sëmundjet si sihri, ftohjen nga bashkëshortja e tjerë. Edhe praktika ka dëshmuar se me këto ilaçe Allahu bën shumë dobi. Mundet që vetëm me leximin e sures Fatiha i sëmuri të shërohet, apo vetëm me suren Ihlas, apo Felek, apo Nas. Më e rëndësishmja është, që edhe lexuesi, edhe atij që i lexohet duhet të kenë besim të sinqertë, të kenë besim tek Allahu, të dinë se gjithçka është në dorën e Tij, dhe se nëse dëshiron Ai diçka ajo bëhet, dhe nëse Ai nuk dëshiron diçka ajo nuk ndodh. Me besim të plotë tek Allahu qoftë nga lexuesi apo atij që i lexohet sëmundja largohet me lejen e Allahut me shpejtësi dhe barërat konkrete dhe abstrakte bëhen të dobishme. Lusim Allahun të na drejtojë të gjithëve në rrugën me të cilën Ai është i kënaqur, vërtet Ai dëgjon dhe është afër.

Fetava Ibën Baz, 8/70

Përktheu: Agim BEKIRI