Pyetja:

Cila është mënyra apo rruga e duhur që duhet të ndjek muslimani/ja për marrjen e diturisë fetare islame në lidhje me çështjen e adhurimeve islame (në lëmin sheriatik), e cila mundëson ndjekjen e të vërtetës dhe arritjen tek ajo?

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!

Detyra e muslimanit është që në çështjen e adhurimeve islame (në lëmin sheriatik) të përpiqet të ndjekë të vërtetën dhe të arrijë tek ajo.

Përsa i përket kualifikimit në lëmin e sheriatit (ligjit islam), muslimanët i përkasin dy kategorive:

Kategoria e parë: Dijetari/nxënësi i dijes në lëmin e sheriatit (ligjit islam), ku hyjnë tre rangjet në vijim:

Rangu i parë: Dijetari kompetent në shkencën e sheriatit (ligjit islam), që është specializuar në studimin e argumentit sheriatik dhe ka arritur gradën e ixhtihadit (kompetencës për dhënien e fetvave/opinioneve sheriatike); me kushtin që veçse kompetent të jetë dhe i devotshëm/i përkushtuar në fe.

Dijetari i këtij rangu është i obliguar që në çështjen e adhurimeve islame (në lëmin sheriatik) të bëjë ixhtihad (të orvatet/përpiqet personalisht) duke i kuptuar argumentet në pajtim me rregullat e shkencës së bazave të fikhut (jurisprudencës islame).

Rangu i dytë: Dijetari/Nxënësi i shkencës sheriatike me kompetencë të kufizuar në shkencën e sheriatit (ligjit islam), i cili është kompetent vetëm në disa subjekte të caktuara dhe plotëson kushtin që përveçse kompetent në këtë subjekt, është edhe i devotshëm/i përkushtuar në fe.

Dijetari i këtij rangu është i obliguar që në subjektin sheriatik ku është kompetent të bëjë ixhtihad (të orvatet/përpiqet personalisht) duke i kuptuar argumentet në pajtim me rregullat e shkencës së bazave të fikhut (jurisprudencës islame), ndërsa lidhur me subjektet që nuk është kompetent, lejohet që në rast nevoje të japë fetva/orientime sheriatike duke u bazuar në fetvatë (mendimet) e dijetarëve kompetentë.

Rangu i tretë: Nxënësi fillestar i dijes sheriatike që nuk ka arritur gradën e ixhtihadit (kompetencës) në asnjë subjekt, i cili përveçse studion dijen sheriatike, është edhe i devotshëm/i përkushtuar në fe. Nxënësi fillestar i dijes sheriatike lejohet që në rast nevoje të japë fetva (orientime) sheriatike duke u bazuar në fetvatë (opinionet) e dijetarëve kompetentë.

Shënim: Si dijetarit ashtu edhe nxënësit të dijes, i ndalohet rreptësisht fanatizmi (zelli i tepruar) për të zbatuar me çdo kusht mendimin e shejkhut (profesorit) të tij apo medhehebit të tij, nëse i shfaqet se e sakta/e vërteta është ndryshe. Muslimani i thjeshtë e njeh kompetencën/meritën e një muftiu/myftiu (personi që jep orientime sheriatike) përmes dëshmisë që kanë dhënë dijetarët muslimanë në favor të këtij muftiu (pra dëshmisë së dijetarëve kompetentë muslimanë se ky mufti është kompetent për të dhënë fetva/orientime sheriatike), dëshmi e cila duhet të këtë vërshuar dhe të jetë bërë publike ndër masën e gjerë të muslimanëve. Kështu pra, muslimani i thjeshtë lejohet që të marrë fetva (orientime sheriatike) vetëm nga një mufti tek i cili hetohet dituria sheriatike, përkushtimi/devotshmëria, popullariteti ndër muslimanë dhe sidomos dëshmia e dijetarëve në favor të kompetencës së këtij muftiu. Me fjalë të tjera, muslimani lejohet të marrë fetva vetëm nga një mufti i cili është e sigurt ose ka më shumë epërsi mendimi se ai është vërtetë kompetent për të dhënë fetva; në të kundërt- nëse tek muslimani dominon mendimi apo ushqehet dyshimi se ky mufti nuk është kompetent për të dhënë fetva (orientime sheriatike),- nuk lejohet që prej një muftiu të tillë të merren fetva (orientime sheriatike).

Kategoria e dytë: Masa e gjerë e muslimanëve që kanë njohuri të përcipta në lëmin e sheriatit (ligjit islam), pra nuk janë specialistë apo të afirmuar për të gjurmuar argumentet sheriatike dhe nuk i përkasin asnjërit prej rangjeve të përmendura në kategorinë e parë. I tilli duhet të pasojë atë dijetar- dhe në rast nevoje atë nxënës dije,- i cili mendon se është më i besueshmi në fe dhe dituri. Kështu ai e ka çuar në vend obligimin e vet dhe ka vepruar në përputhje me fjalën e Allahut: “Pyetni dijetarët nëse ju nuk dini.” (Enbija: 7)

Nëse muslimani i thjeshtë (që i takon masës së gjerë të muslimanëve) di një mendim të besueshëm në lidhje me një çështje sheriatike apo pyet një dijetar të mirëfilltë, atëherë nuk e ka obligim që pas tij të pyes tjetërkënd.

Nëse paskëtaj informohet mbi një mendim të ndryshëm, ai duhet të ndjekë atë që mendon se është më i saktë dhe i drejtë, siç vepron pacienti nëse mjekët ndryshojnë në këshillat që japin për trajtimin e tij. Ai nuk duhet ta përulë dhe as ta quaj gabimtar muslimanin tjetër nëse ky i fundit nuk pajtohet në mendim me të, për sa kohë që ai ndjek një medhheb fikhu (akademie juridike islame), ose imiton një dijetar që gëzon konsideratë apo që është muxhtehid (kompetent për të dhënë fetva/orientime sheriatike).

Allahu e di më mirë.

Alaudin Abazi