Pyetja:
Cilat janë kufijtë e të kënaqurit në mënyrë të lejuar me gruan?
***
Përgjigjja:
Sigurisht në kohën tonë, ku epshet janë ndezur dhe janë shtuar shumë dhe, me ekzistencën e kanaleve televizive të panumërta, nuk përjashtohet asnjë pyetje dhe, ai që pyetet e ka detyrë të përgjigjet.
Së pari: Zoti ynë i Lartmadhëruar, nuk ka ndaluar ndonjë nga instiktet (dëshirat) njerëzore, veçse e ka ngopur atë me diçka tjetër, që është e mirë dhe i sjell dobi njeriut. Profeti ﷺ ka thënë: “Çdo argëtim është i kotë.” Jo haram, por i kotë, nuk ka dobi prej tij. Pra: “Çdo argëtim është i kotë, përveç: që njeriu të stërvisë kalin e tij, të gjuajë me harkun e tij dhe të luajë me familjen e tij”
Dijetarët e ‘usulit’ (bazave të jurisprudencës), – në mesin e tyre edhe Imam Shatibiu në librin e tij “El Muuafekat” – thonë se ky është një nga hadithet bazë në shikimin e përfundimit të çështjeve (se çfarë rezultatesh kanë). Kështu që ti argëtohesh dhe merr pjesën tënde nga ajo që ta ka lejuar Allahu, por si rezultat i kësaj vjen: stërvitja e kalit. Dhe dobia prej lojës me hark është stërvitja për të gjuajtur – dhe fuqia qëndron tek gjuajtja (në distancë), siç ka thënë Profeti ﷺ: “S’ka dyshim se fuqia qëndron tek gjuajtja”. Dhe rezultati i luajtjes me familjen (është për qëllim gruan), është i gjithi mirësi. Sepse kush luan me gruan e tij, rezultati i kësaj është ardhja në jetë e një fëmije. Dhe të pasurit e fëmijëve (të qenit prind) është dëshirë njerëzore. Dhe është detyrë për të logjikshmin që të kujdeset për epshin e tij.
Allahu thotë: “Gratë tuaja janë vendmbjellje për ju, prandaj afrojuni vendmbjelljes suaj si të dëshironi.”(Bekare: 223). Dikush shpifi për imam Malikun duke i atribuar atij një fjalë (që ai s’e ka thënë) në një libër të titulluar “Es sirr”, sikur gjoja ai i lejon marrëdhëniet intime me gruan në prapanicë (anus apo vrimën anale). Kur i arriti Malikut kjo fjalë tha: “Subhanallah! A nuk janë arabë këta?! A nuk e kanë lexuar fjalën e Allahut “VENDMBJELLJE për ju?!” A mund të jetë vendmbjellja në prapanicë?!”
Ka thënë imam Kurtubiu në komentimin e këtij ajeti: “Dhe dijetarët e mëdhenj prej shokëve të imam Malikut, e hedhin poshtë vëretësinë e kësaj fjale prej imam Malikut.
Kontakti intim me gruan në prapanicë është i ndaluar. Imam Dhehebiu ka saktësuar hadithin e Profetit ﷺ që thotë: “S’ka dyshim se mallkimi i Allahut është mbi atë që i vjen gruas së tij në prapanicë”!
Dhe kuptimi i fjalës së Allahut – të Patëmeta: “Gratë tuaja janë vendmbjellje për ju, prandaj afrojuni vendmbjelljes suaj si të dëshironi” është siç ka thënë Profeti ﷺ në hadith të saktë: “Në një vend”. Qoftë duke i ardhur nga përpara apo nga mbrapa, por vetëm në një vend (në vaginë). Hadithi është shumë i qartë. Fjala e tij: “Në një vend”, e ndalon marrëdhënien në prapanicë. Prandaj kjo gjë është haram.
Pastaj është i ndaluar gjithashtu edhe kontakti intim gjatë kohës kur gruaja është me zakonet e përmuajshme. Dhe gruaja lehone (gjendje që mund të zgjasë deri në 40 ditë pas lindjes së fëmijës) është njësoj si ajo me menstruacione. “Të pyesin ty për menstruacionet. Thuaj: “Ajo është diçka e dëmshme (marrëdhëniet intime me to gjatë kësaj kohe janë të dëmshme).”(Bekare: 222)
Pastaj, çdo veprim i dëmshëm mes bashkëshortëve është i ndaluar. E çfarë ka pas kësaj, baza është se kënaqja mes burrit dhe gruas së tij është e lejuar. Pra, përveç këtyre gjërave të ndaluara që përmendëm, si: marrëdhëniet intime anale, marrëdhëniet intime gjatë menstruacioneve dhe lehonisë, dhe me kusht që të mos dëmtojnë njëri-tjetrin, çdo gjë tjetër pas këtyre është e lejuar.
Është detyrë për burrin që ta ruajë nderin e vetes së tij dhe të familjes së tij. Vjen një grua tek Umeri dhe i thotë: “O Udhëheqësi i besimtarëve! Burri im është agjërues ditën dhe falet natën. – i tha asaj Umeri: Allahu të dhëntë bereqet te burri yt! (Ma sha Allah!) – aty ishte edhe Ubejj ibn Ka’bi, i cili i tha: O Udhëheqësi i besimtarëve! Ajo po të ankohet ty për burrin e saj!” Sepse ai nuk po e ruan nderin e saj, nuk ia plotëson asaj dëshirat seksuale! Falet natën dhe agjëron ditën, kështu ajo nuk ka pjesë nga kënaqësia bashkëshortore mes tyre. Umeri i thotë: “Atëherë jepi përgjigje asaj. – Meqë ti e morre vesh hallin e saj, atëherë jepi fetva. – Atëherë Ubejji – Allahu i Lartësuar qoftë i kënaqur prej tij – i thotë: Gjykoj që burri t’i afrohet asaj një herë në çdo katër ditë. Meqë Allahu i ka lejuar burrit deri në katër gra, atëherë le t’i japë asaj kënaqësinë bashkëshortore (të paktën) një herë në katër ditë”.
Prandaj është detyrë për burrin që ta ruajë nderin e gruas së vet. Prandaj tregohuni të vëmendshëm! Lus Allahun të na japë dije dhe të na mësojë edukatën. Dhe të na bëjë prej atyre që ua japin hakun të gjithëve. Thonë: Prej shkaqeve më të mëdha të urrejtjes së gruas ndaj burrit, urrejtje e cila mbetet e fshehur në brendësi, është: kur burri e arrin kënaqësinë e tij prej gruas dhe pastaj e lë pas dore atë. Nuk e kënaq atë. Ky është një nga shkaqet më të mëdha të urrejtjes së gruas ndaj burrit! Dmth burri arrin kënaqësinë e tij, pastaj e harron gruan e tij! Dhe nuk pyet a e arriti ajo kënaqësinë e saj prej tij apo jo! Prandaj kjo është një çështje shumë delikate dhe shumë e ndjeshme, për të cilën burri duhet të tregojë vëmendje të madhe!
Është detyrë për burrin që ta ruajë nderin e tij, duke e frenuar dhe përmbajtur veten prej të ndaluarës dhe, është detyrë gjithashtu për të, që të ruajë nderin e gruas së tij duke ngopur dëshirën e saj natyrore, me atë mënyrë që e ka lejuar Allahu i Lartësuar! Dhe Allahu i Lartmadhëruar e di më së miri.
Përktheu: Emin Bilali