Pyetja:
Cili është obligimi i një muslimani ndaj një jomuslimani, qoftë kur ai (jomuslimani) është një dhimmij në një vend musliman, qoftë kur muslimani jeton në vendin e atij jomuslimani? Obligimet që dua të më sqarohen këtu janë bashkëveprimet e të gjitha llojeve, duke nisur nga përshëndetja deri te kremtimi i festave të jomuslimanëve me të. A është e lejueshme të merret ai për shok vetëm në vendin e punës?
***
Përgjigjja:
Obligimi i muslimanit ndaj jomuslimanit përfshin një numër gjërash.
Së pari, daueti apo të thirrurit atë për te Allahu i lartësuar. Pra, ai duhet ta thërrasë atë
për te Allahu dhe t’ia shpjegojë realitetin e Islamit, kur ka mundësi për këtë, lidhur me
cilado çështje për të cilat ka njohuri. Sepse kjo është mirësia më e madhe që ai mund t’i
bëjë bashkëqytetarit të tij dhe atyre që i takon nga çifutët, të krishterët dhe të tjerët që
mund të jenë idhujtarë. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që i udhëzon të tjerët në mirësi, do të ketë shpërblim të njëjtë si ai që e bën atë.”
Dhe ai ﷺ i tha Aliut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), kur e çoi për në Hajber dhe e instruktoi t’i thërriste çifutët në Islam: “Pasha Allahun, sikur Allahu të udhëzonte një njeri nëpërmjet teje, do të ishte më mirë sesa pasja e deveve të kuqe (e llojit më të mirë).” [1]
Dhe ai ﷺ ka thënë: “Kushdo që thërret të tjerët për në udhëzimin e drejtë, do të ketë shpërblim si të atyre që e pasojnë atë, pa zbritur aspak nga shpërblimi i tyre.”
Kështu, të thirrurit atë (jomuslimanin) për në Islam, bartja e Islamit te ai dhe të qenit i
sinqertë ndaj tij në këtë është ndër mënyrat më të mira për t’iu afruar Allahut.
Së dyti, Ai s’bën t’i bëjë padrejtësi atij në mirëqenien fizike të tij, në pasurinë e tij apo në
nderin e tij. Nëse ai është një dhimmij (jomusliman që jeton nën ligjin islami), muste’men
(atij që i jepet siguri në një vend musliman) apo mu’ahid (njëri ndër ata me të cilët
muslimanët kanë marrëveshje paqeje), atëherë ai duhet t’ia japë të drejtat atij dhe të mos
ia cenojë pasurinë duke e vjedhur, duke e tradhtuar apo duke e mashtruar. Dhe ai s’bën ta dëmtojë atë fizikisht duke e goditur apo duke e vrarë atë, sepse fakti që ai është një
mu’ahid, dhimmij apo muste’men, do të thotë se është i mbrojtur nga sheriati.
Së treti, s’ka arsye pse ai të mos bashkëveprojë me të duke blerë, duke shitur, duke
huazuar apo duke marrë me qira nga ai e kështu me radhë. Është transmetuar në
transmetime të vërteta se Pejgamberi ﷺ blinte nga mosbesimtarët që adhuronin idhujt dhe blinte nga çifutët, dhe këto janë bashkëveprime. Kur ai ﷺ vdiq, mburoja e tij po mbahej peng nga një çifut për një sasi ushqimi që ai kishte blerë për familjen e vet.
Së katërti, sa i përket përshëndetjes, muslimani nuk duhet ta iniciojë përshëndetjen, por
ai mund ta kthejë atë, sepse pejgamberi ﷺ tha: “Mos e nisni përshëndetjen ndaj çifutëve apo të krishterëve.” Dhe tha: “Nëse pasuesit e Librit ju përshëndesin me selam (duke thënë: selam alejkum), thoni: ue alejkum.”
Pra, muslimani nuk duhet ta iniciojë përshëndetjen ndaj një mosbesimtari, por, nëse
mosbesimtari e përshëndet i pari me selam, atëherë i thotë: ue alejkum, siç ka thënë
pejgamberi ﷺ.
Këto janë disa nga të drejtat mes një muslimani dhe një mosbesimtari.
Një tjetër e drejtë është të qenit një fqinj i mirë. Kështu, nëse ai është fqinj i mirë, jini i
mirë ndaj tij dhe mos e bezdisni. Jepni atij sadaka/lëmoshë, nëse është i varfër, dhe jepni
dhurata e këshillë të mirë, sepse këto janë gjëra që do ta bëjnë Islamin tërheqës për të
dhe sepse fqinjët kanë të drejta. I Dërguari i Allahut ﷺ tha:
“Xhibrili vazhdonte të më nxiste të jem i mirë ndaj fqinjit aq shumë, saqë
mendoja se do ta përfshinte atë në trashëgiminë time.” [Sahih]
Nëse fqinji është mosbesimtar, hala për të vlejnë të drejtat e një fqinji. Nëse ai është edhe
farefis, edhe mosbesimtar, atëherë ai ka dy të drejta: të drejtën e një fqinji dhe atë të
familjarit.
Një nga të drejtat e fqinjit është se ju duhet t’i jepni sadaka atij, por jo edhe zekatin, sepse
Allahu i lartësuar thotë:
“Allahu nuk ju ndalon të silleni butë dhe drejtësisht me ata që nuk ju luftuan
për shkak të fesë suaj e as nuk ju përzunë nga shtëpitë tuaja. Vërtet, Allahu i
do të drejtët.” (Mumteheneh, 8)
Sipas një hadithi sahi, të transmetuar nga Esma bint ebi Bekr (Allahu qoftë i kënaqur me
të!), nënë e saj, e cila ishte idhujtare, shkoi te ajo për të kërkuar ndihmë gjatë
armëpushimit mes pejgamberit dhe banorëve të Mekës. Esma e pyeti Pejgamberin nëse
ai do t’i jepte leje për të mbajtur lidhjet familjare me të dhe pejgamberi ﷺ tha:
“Mbaj lidhjet familjare me të.”
Por, sa i përket kremtimit të festave të tyre, muslimani s’bën të marrë pjesë në ato
kremtime, por s’ka gjë t’i ngushëlloni, nëse atyre u vdes ndonjë i afërm, siç është
thënia: ”Allahu jua kompensoftë humbjen” dhe të tjera fjalë të mira. Por, ai s’duhet të
thotë: ”Allahu e mëshiroftë” dhe s’duhet të lutet për të vdekurin, nëse ai ka qenë
mosbesimtar. Dhe ai mund të lutet për atë që është gjallë që të udhëzohet dhe të
kompensohet e kështu me radhë.
—————–
[1] Buhariu