Pyetja:

A e kemi obligim t’i paguajmë vitrat në fund të muajit Ramazan?

***

Përgjigjja:

Dhënia e zekatul fitrit, apo siç quhet tek ne në popull “vitrat”, është obligim (vaxhib) të jepet për çdo musliman mashkull apo femër, i rritur apo fëmijë. Ibën Umeri,Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton: “Pejgamberi ﷺ i ka obliguar njerëzit në Ramazan të japin zekatul fitrin një sa’a[1] prej hurmave apo një sa’a prej gruri për çdo musliman që është i lirë apo rob, mashkull apo femër, i madh apo i vogël, si dhe ka urdhëruar që të jepet (zekatul fitri) para faljes së namazit të Bajramit.” [2]

Pra, zekatul fitri jepet për çdo person që nga lindja e derisa është i shtyrë në moshë. Pra, nëse lind deri para faljes së Bajramit, duhet të jepet zekatul fitri për të, ndërsa për fëmijën në barkun e nënës preferohet të jepet, por nuk obligohet.

Zekatul fitri jepet për dy arsye:

E para: Të ushqyerit e të varfërve, për këtë arsye zekatul fitri duhet të jepet para Bajramit që t’u mundësohet të varfërve në Ditën e Bajramit të kenë ushqim të bollshëm për të festuar.

E dyta: Zekatul fitri është pastrim për agjëruesin për lëshimet e mundshme gjatë agjërimit të muajit Ramazan, sepse gjatë një muaji agjërim është e pamundur të mos bëhet ndonjë lëshim, njerëz jemi dhe gabojmë. Allahu i Madhëruar na ka mundësuar që sadakatul fitri të jetë pastrim për agjëruesin, e pastron atë nga mëkatet, në mënyrë që agjërimi kur të ngrihet tek i Madhi Allah të jetë sa më i plotë dhe i kompletuar.

Ibën Abasi transmeton: “I Dërguari i Allahut ﷺ e ka obliguar zekatul fitrin me qëllim të pastrimit të agjëruesit prej ndonjë lëshimi apo gabimi të paqëllimtë dhe ushqim për të varfrit. Kush e jep (zekatul fitrin) para namazit të Bajramit, zekatul fitri i tij është i pranuar, e kush e jep pas namazit të Bajramit, ajo llogaritet si lëmoshë e zakonshme.” [3]

Zekatul fitri jepet në ushqim, por mund të jepet edhe me para. Përparësi kanë të varfrit çdoherë, por u jepet edhe të tjerëve që e meritojnë, sikurse janë vakëfet, studentëve, etj..

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Sa’a është njësi matëse e përdorur në kohën e Pejgamberit ﷺ ,bile edhe më pas deri vonë, që i bie 2173 gramë (dy kilogramë e njëqind e shtatëdhjetë e tre gramë). Kjo është sipas mendimit të xhumhurit, shumicës së dijetarëve.

Ndërsa disa kanë thënë 2.035 gramë (dy kilogramë e tridhjetë e pesë gramë). Ebu Hanife dhe Muhamedi thonë se është 3261.5 gramë (tre kilogramë e dyqind e gjashtëdhjetë e një gramë e gjysmë). Shiko: El-Misbah el-Munir, faqe 134, Tahrir Elfadh et-Tenbih, faqe 41, Mu’xhem Lugat el-Fukaha, faqe 240.

[2] Buhariu, nr. 1503; Muslimi nr. (984) 12.

[3] Ebu Davudi, nr. 1609; Ibën Maxhe, nr. 1827. Albani ka thënë: “Hadithi është hasen”.