Pyetja:

Kam qenë i mbrojtur nga ana e Allahut prej mëkateve të mëdha e sidomos prej zinasë, edhe në vitet e para isha më i fort në iman, por fatkeqësisht që tre vitet e fundit si duket m’u ka dobësuar imani dhe rashë në zina me një prostitutë jashtë vendlindjes (jashtë shtetit). E bëra këtë gabim dhe u pendova shumë, ngase bëra një gabim duke qenë pasues i së vërtetës, Kuranit dhe Sunetit, edhe kur mendoja se në injorancë s’kam bërë zina e tani kam bërë. Por përsëri rashë në të njëjtin gabim. Kaloi një kohë dhe disa herë e kam bërë këtë mëkat zina (me prostitutë). Deshi Allahu që unë të shkoja edhe në haxh duke menduar se nuk do ta bëj këtë gabim (zina). Rezistova shumë kohë, por në fund edhe haxhin e prisha (pasi prapë bëra zina). Në lidhje me këtë dua të pyes se a ka sihr ose mësysh që të shtyn në mëkate (në këtë rast Zina) sepse shumica e njerëzve më konsiderojnë shumë të mirë dhe të sinqertë, kanë mendim shumë të mirë për mua. Çka më këshilloni? Mundësitë për martesë nuk i kam aq të mira.

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Së pari duhet ta dish se haxhi është një ibadet (adhurim) obligativ siç është edhe namazi dhe agjërimi dhe atë (haxhin) nuk mund ta prishë ndonjë mëkat i madh përveç shirkut dhe kufrit, i cili i asgjëson të gjitha veprat e mira.

Pastaj zinaja është një ndër haramet më të mëdha dhe për këtë shkak Allahu ﷻ i ka ndaluar shumë gjëra para se njeriu të bjerë në zina. Për këtë Allahu ﷻ në Kuranin Famëlartë thotë: “Dhe mos iu afroni imoralitetit (zinasë), sepse vërtet ajo është vepër e shëmtuar dhe është një rrugë shumë e keqe.” (El Isra: 32)

Nga ky ajet nënkuptojmë se Allahu ﷻ në mënyrë të prerë e ndalon jo vetëm aktin përfundimtar të prostitucionit, por ndalon edhe të gjitha veprimet dhe metodat që i paraprijnë dhe shpijnë nga kjo anomali shoqërore. Pra, njeriu nuk bën as t’i afrohet amoralitetit, e, për këtë, Allahu ﷻ ka ndaluar edhe shikimin e femrave ose përshëndetjen ndërmjet gjinive të kundërta, po ashtu ka ndaluar edhe përzierjen e meshkujve me femra. Të gjitha këto i ka ndaluar që njeriu të mos bjerë në zina.

E, nëse njeriu largohet nga këto ndalesa ose barrikada, atëherë e ka më të lehtë të bjerë në zina.

Pra, nëse zinanë e trajtojmë nga aspekti fetar, konsiderojmë se është veprim i ndaluar (haram) dhe renditet në mesin e mëkateve të mëdha, për të cilin do të ketë dënim të rëndë botën tjetër. Pejgamberi ﷺ në një hadith thotë: “Nuk ka mëkat më të madh pas shirkut që i bëhet Allahut sesa hedhja e spermës së mashkullit te femra që nuk i lejohet atij.” [1]

Nuk ka dyshim se veprimi i harameve të mëdha është si pasojë e uljes së imanit tek njeriu. Në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejra, Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai i cili bën zina ose pi alkool, Allahu ia zhvesh atij imanin (besimin) ashtu si njeriu kur e zhvesh këmishën e tij nga koka.” [2]

Njeriu duhet t’u largohet këtyre harameve menjëherë duke ripërtërirë imanin e tij dhe duke ngritur imanin e tij. Të sygjeroj për këtë të lexosh librin e Muhamed Salih el Munexhidit, i titulluar “Shfaqja e dobësimit të imanit”.

Dhe këtu do të sjell një ngjarje të imam Ibrahim ibn Ed’hemit.

Një njeri erdhi tek Ibrahim ibën Ed’hemi dhe i tha:

– O dijetar, epshi im më nxit dhe më stimulon për gjynahe. Të lutem më këshillo!
– Nëse epshi yt të nxitë për të vepruar gjynah dhe vese të liga ndaj Krijuesit tënd, nuk ka dert…! Unë do t’i paraqes pesë kushte, nëse i plotëson, vazhdo, bëj gjynah ndaj Allahut!, – iu përgjigj Ibrahimi.
– Atëherë, m’i jep ato!
– Nëse dëshiron t’i bësh gjynah Allahut, atëherë fshehu (ik) në një vend ku nuk të shikon Allahu!
– Subhanallah! Si të fshihem nga Allahu kurse Ai shikon çdo gjë!
– Subhanallah! A nuk turpërohesh t’i bësh gjynah Allahut e Ai të sheh?!
Heshti njeriu.
Pastaj njeriu tha: – Më trego kushtin e dytë!
Ibrahimi vazhdoi: – Nëse dëshiron t’i bësh gjynah Allahut, mos i bëj gjynah në tokën e Tij!
– Subhanallah! Ku të shkoj? E gjithë gjithësia është e Tij!
– Subhanallah, ia ktheu Ibrahimi, a nuk turpërohesh t’i bësh gjynah Allahut, kurse ti po shfrytëzon tokën e Tij?!
– Më trego kushtin e tretë, thirri njeriu me kuriozitet të madh.
– Nëse dëshiron t’i bësh gjynah Allahut, atëherë mos u ushqe nga furnizimet e Tij!
– Subhanallah! Si të jetoj, si të ushqehem? Gjithë të mirat janë prej Tij dhe të Tij.
– Subhanallah, ia preu sërish Ibrahimi, a nuk turpërohesh t’i bësh gjynah Allahut e Allahu është Ai që të ushqen dhe të jep të pish, të furnizon dhe të ndihmon të mbijetosh!
– Më trego kushtin e katërt!
– Kur i bën gjynah Allahut, pastaj të kapin melaiket për të të hedhur në zjarr, mos e prano këtë! Refuzoje hedhjen në zjarr!
– Subhanallah! A kam forcë unë për këtë?! Melaiket nuk të pyesin, por të zvarrisin për në zjarr!
– Kur t’i lexosh gjynahet e tua në fletushkë, mohoji ato gjynahe dhe thuaj nuk i kam vepruar!
– Subhanallah! ku janë melaiket (kiramen katibin) që shënojnë çdo gjë, ku janë melaiket që kujdesen dhe të ruajnë ty, ku janë dëshmitarët okularë që shqiptojnë dhe dëshmojnë?!

Filloi të qajë njeriu, u largua dhe thoshte: Ku janë melaiket (kiramen katibin) që shënojnë çdo gjë, ku janë melaiket që kujdesen dhe të ruajnë ty, ku janë dëshmitarët okularë që shqiptojnë dhe dëshmojnë?!

Eroll Nesimi

————————

[1] Ahmedi dhe Taberaniu

[2] Hakimi