Pyetje:

A kanë të drejtë prindërit ta kundërshtojnë martesën e vajzës me një djalë që është i nacionalitetit tjetër?

***

Përgjigjje:

Prindërit e kanë për obligim që të kujdesen për vajzën dhe që burri i saj të jetë i përshtatshëm për të. Prindi, gjegjësisht babai, konsiderohet kujdestari i vajzës së tij, andaj për martesën e vajzës kërkohet edhe pëlqimi i tij.

Nëse djali që e kërkon vajzën i përshtatet asaj dhe nuk ka mangësi në aspektin e praktikimit të fesë dhe nuk ka vërejtje në moralin e tij dhe nëse vajza e pëlqen djalin, atëherë është mirë dhe e preferuar që prindi të mos e kundërshtojë martesën e vajzës së tij.

Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nëse dikush ua kërkon vajzën dhe jeni të kënaqur me fenë dhe moralin e tij, atëherë martojeni atë, se nëse nuk e martoni, do të bëhet çrregullim në tokë dhe e keqe e madhe.”[1]

Por nëse i fejuari i vajzës nuk është i përshtatshëm për të dhe posedon vese të këqija ose kryen mëkate si mosfalja e namazit, pirja e alkoolit etj., në këtë rast prindi e ka për obligim ta kundërshtojë martesën e vajzës dhe kundërshtimi i tij është i pranuar dhe i ligjshëm.

Sa i përket rastit në fjalë, kur është fjala se djali që kërkon vajzën ka nacionalitet tjetër dhe prindi kundërshton, këtu duhet të kemi parasysh se prindërit zakonisht janë kundër martesave të këtilla për shkak të mospasjes së informacioneve të bollshme për të kaluarën e djalit si dhe për shkak të dallimit të kulturës dhe traditës së tij, që shpeshherë bëhet shkak i mungesës së harmonisë në jetën bashkëshortore. Kundërshtimi i prindërve për këtë lloj martese duhet kuptuar si interesim për mirëqenien e ardhmërisë së vajzës së tyre dhe jo si një veprim dashakeq dhe me këtë kundërshtim prindi ka të drejtë.

Në raste të tilla është mirë dhe e preferuar që prindi të kërkojë informacione të bollshme për jetën dhe sjelljet e djalit. Ndërsa në anën tjetër, vajza nuk guxon të rebelohet kundër prindërve, por duhet të gjejë metoda që me mirësjellje të marrë pëlqimin e prindërve për martesën e saj. Nëse prindërit refuzojnë, ata duhen dëgjuar dhe duhet kërkuar ndonjë fat tjetër.

Në çdo rast, mirësjellja ndaj prindërve është e domosdoshme, andaj ky kundërshtim i tyre nuk e justifikon sjelljen e keqe ndaj tyre.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Tirmidhiu, nr. 1084. Albani e ka konsideruar hasen.