Pyetja:

Është një motër muslimane që e ka shprehi me ju marr telefonat (fshehtas) motrave muslimane dhe ju lexon mesazhet. Desha ta di çka konsiderohet kjo në Islam, duke marrë parasysh se askush nuk ka dëshirë, sepse çdokush ka gjëra sekrete. A konsiderohet kjo gjë si vjedhje apo edhe më keq se vjedhja? Allahu ju shpërbleftë!

***

Përgjigjja:

Marrja e telefonave dhe kontrollimi i tyre nga të tjerët, pa lejen e pronarëve të tyre, konsiderohet vepër e shëmtuar në Sheriatin Islam. Kjo gjë hyn nën kapitullin e mëkateve të “përcjelljes së të metave të muslimanëve”, e cila gjë padyshim se është haram.
Allahu i Madhërishëm në Kur’an thotë: “O ju që besuat, mos hyni në shtëpi të huaja pa kërkuar leje dhe pa përshëndetur njerëzit e saj. Kjo është më mirë për ju në mënyrë që të merrni mësim. Po nëse nuk gjeni aty asnjë, atëherë mos hyni në to derisa t’u jepet leje, e nëse u thuhet kthehuni, ju pra kthenu. Kjo është më e ndershme për ju. All-llahu di çdo gjë që veproni ju.” (Nur: 27-28)

Pra çelja e telefonave të huaj, qoftë duke i shikuar fotot, lexuar SMS-at, lexuar nr. e regjistruar të të tjerëve, përgjigjja nëse thërret dikush etj., konsiderohet sikur të hyhet në shtëpinë e dikujt pa lejen e pronarit. I Dërguari ﷺ, ka thënë: “Padyshim se nëse i përcjellë të metat e njerëzve, i shkatërron ata, ose gati i ke shkatërruar.” [1]

Në shpjegim të këtij hadithi, Eladhim Abadi, tha se nëse njeriut ia hulumton gabimet për ta qortuar pastaj drejtpërdrejt, është në gjendje t’i plasë turpi dhe të vazhdojë ta bëjë atë vepër të shëmtuar edhe publikisht.

Në një hadith tjetër i Dërguari ﷺ, ka thënë: “Kureshtari, që orvatet të shikojë brenda shtëpisë së tjetrit pa lejen e pronarit, banorëve mund t’ju lejohet t’ia nxjerrin syrin.” [2] Në një transmetim tjetër qëndron: “… dhe ia qesin syrin kureshtarit, nuk obligohen me shpagim e as dënim.”

Një veprim i tillë, jo vetëm që nuk është në përputhshmëri me edukatën islame, por edhe mund të sjellë dëme më të mëdha në shoqëri. Mund të shkakton reaksion dhe gjërat marrin kahun tërësisht të gabuar. Nëse personi kureshtar, synon të bëj kontroll me qëllim të edukimit duke e qortuar personin nëse i gjen gjëra të këqija etj., ne i themi se kjo nuk është metoda për të bërë urdhër për të mirë dhe ndalim nga e keqja.

Këto vinë në shprehje kur e keqja bëhet haptas, dhe atëherë ne duhet të angazhohemi që ta luftojmë atë të keqe, e jo si individë të nuhasim vendet apo personat ku mund të kenë gabime për t’i “përmirësuar”, përderisa e keqja e tyre është jo e pashme.
Nëse dyshimi për një person se ka elemente të këqija në telefonin e tij është i madh, atëherë duhet t’i tërhiqet vërejtja duke e këshilluar, pa u thirrur në supozim, por vetëm t’i jepet këshillë e përgjithshme.

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dermaku

————————————————

[1] Transmeton Ebu Davudi

[2] Transmeton Muslimi